Festivali treditor i Letërsisë Evropiane, autorët e huaj në takime me lexuesit shqiptarë

13 Dhjetor, 2024 - 6:30 pm

Festivali treditor i Letërsisë Evropiane u çel të enjten në mbrëmje në ambientet e Shtëpisë së Europisë.

Ky aktivitet sjell pranë lexuesit shqiptar autorë bashkëkohor europian, të përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe.

“Letërsia na frymëzon. Është një mundësi e mirë edhe për të promovuar të kuptuarit me mirë të traditave të vendeve të ndryshme europiane, që është e njëjta logjikë me atë që po ndodh në politikë. Procesi drejt anëtarësimit synon të sjellë Shqipërinë pranë Bashkimit Europian. Në këtë proces, nuk duhet të harrojmë aspektin njerëzor, komunikimi mes njerëzve është i rëndësishëm”, shprehet Silvio Gonzato.

Alesandro Ruggera thotë: “Ky festival synon të nderojë tradita të ndryshme letrare, të kultivojë një vlerësim të thellë për fuqinë e fjalës së shkruar që përcjell traditat letrare evropiane”.

Përgjatë ditëve të festivalit, autorë nga Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Irlanda dhe Polonia, si dhe vepra letrare për fëmijë nga Holanda, do të takojnë lexuesit shqiptarë dhe do të vizitojnë nxënësit e shkollave të mesme.

“Po e shijoj këtë eksperiencë. Është hera ime e parë në Shqipëri, padyshim që do të vij sërish. Është interesante të flas me njerëzit këtu për historinë, kulturën dhe gjuhën shqipe”, tha Catherine Prasifka.

I konceptuar si një festival gjithëpërfshirës, përgjatë tri ditëve aktivitete me në fokus të drejtat e njeriut, çështjet mjedisore, ballafaqimi me të kaluarën, vetëdija në sfonde të ndryshme kulturore e më gjerë do të zhvillohen në Shtëpinë e Evropës, Bibliotekën Kombëtare dhe Qendrën e Artit “Agimi”./TopChannel/KultPlus.com

Të ngjajshme