5 Maj, 2020 - 8:38 pm
Qendrim Badalli
Dardana Fetahu e diplomuar në Psikologji është drejtoreshë në Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore. Ajo aktualisht po kontribuon vullnetarisht edhe si këshilluese psikologjike në linjën për ndihmë psikologjike, e cila është vënë në funksion për t’i ndihmuar qytetarët në këtë kohë pandemie.
Në këtë intervistë, Fetahu flet për interesimin dhe kërkesat për ndihmë, për bilancin gjinor dhe atë të moshës, për shqetësimet më të shpeshta, për pasojat e mundshme të stresit si dhe për udhëzimet konkrete për ta kaluar këtë situatë.
KultPlus: Si e vlerësoni numrin e thirrjeve për ndihmë psikologjike në këtë kohë pandemie, a është numri i madh i qytetarëve që po telefonojnë për ndihmë?
Dardana Fetahu: Numri i thirrjeve në linjën e thirrjeve për ndihmë psikologjike të ofruar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë, deri tash ka kaluar numrin 100.
Vlerësojmë se ende ka nevojë që njerëzit të informohen që ekziston një linjë ku ata/ato mund të shprehin shqetësimet e tyre dhe dikush t’i dëgjojë dhe këshillojë. Po punojmë shumë rreth promovimit të linjës në mënyrë që qytetarët të informohen sa më shumë rreth saj. Në anën tjetër, problem në këtë mes është hezitimi i qytetarëve për kërkimin e ndihmës, e thyerja e kësaj stigme është diçka për të cilën duhet të punojmë çdo ditë.
KultPlus: Cilat janë ankesat më të shpeshta?
Dardana Fetahu: Qytetarët po raportojnë ndjenja të ankthit e stresit që shumicën e rasteve janë të ndërlidhura me marrëdhëniet ndërpersonale, me familjarët e partnerët por edhe me situatën e pandemisë në përgjithësi. Ndihmë-kërkuesit kanë hasur në situata të vështira si rezultat i pandemisë, ca prej tyre nuk kanë pasur mundësinë e përshëndetjes së fundit me njerëzit e afërm, të tjerë kanë qëndruar në shtëpi me ditë të tëra me ndjenjën se e kanë virusin dhe se po infektojnë familjarët.
Linja gjithashtu shërben edhe për referim, pasi që kemi një numër të konsiderushëm të kontakteve të Qendrave të Shëndetit Mendor, Qendrave për Punë Sociale, Klinikës së Psikiatrisë dhe shërbimeve të tjera të kësihllimit online, prandaj një numër të thirrjeve që marrim i referojmë tutje tek qendrat respektive varësisht prej nevojës.
KultPlus: Cila gjini po kërkon ndihmë më së shumti?
Dardana Fetahu: Hulumtimet tregojnë se burrat në përgjithësi kërkojnë më pak këshillm sesa gratë, sidomos nëse janë në depresion ose me mendime vetëvrasëse.
Kurse në këtë periudhë, numri i grave dhe burrave që deri tash kanë kërkuar këshllim psikologjik përmes linjës, është i balancuar. Madje, burrat janë ata që në numër më të madh kanë kërkuar këtë lloj shërbimi (jo dallim signifikant). Personalisht besoj që anonimiteti i ofruar nga linja është ajo që u heq barrën e stigmës burrave për kërkimin e ndihmës, pasi që konsideroj të jetë arsyeja kryesore e këtij dallimi.
KultPlus: Cila grup-moshë po kërkon ndihmë më së shumti?
Dardana Fetahu: Në linjë kemi pasur thirrje të shumicës së grupmoshave, me fillim nga 18 deri në 70. Përqindja është më e madhe e grupmoshës 20 dhe 40. Pra të rinjt dhe mosha e mesme janë ata të cilëve me gjasë dinamika e jetës më së shumti është ndikuar. Por gjithsesi, deri tash nuk mund të themi me bindje këtë të fundit, pasi që nuk është arritur ende një numër përfaqësues.
KultPlus: Cili mund të jetë dëmi i stresit që nuk mund të menaxhohet?
Dardana Fetahu: Mënyra më mirë për me kuptu stresin është me definu si reagim të trurit ndaj ndryshimeve në ambientin e jashtëm ose të brendshëm që kërkojnë adaptimin tonë. Reagimet ndaj këtij ndryshimi mund të jenë fizike, mendore dhe emocionale Në rastin tonë, pandemia është ndryshim në mjedisin e jashtëm i cili ka kërku të adaptohemi në dinamikë të re të jetës. E që kjo për shumë njerëz ka sjellë mendime negative, konflikte me familjarë e partnerë dhe përqendrim në aspekte negative (ruminime) që rrjedhimisht e rrisin nivelin e stresit. Nëse ky i fundit, nuk menaxhohet shëndetshëm gjasat për t’u kthyer në stres kronik janë të mëdha.
Studimet shkencore në fushën e psikologjisë tregojnë se nëse stresi dhe shqetësime të tjera psikologjike nuk marrin vëmendje, adresim dhe trajtim, mund të rezultojnë në përshkallëzim të ndjenjave dhe mendimeve negative, duke shtuar ankthin, duke ndikuar në pagjumësi, dhimbje të muskujve, presion të lartë të gjakut dhe përgjithësisht sistem imunitar më të dobësuar. Për të përmbledhur, stresi i patrajtuar me kohë ka efekte afatgjata negative në shëndet.
KultPlus: Cilat janë rekomandimet tuaja specifike për ta menaxhuar stresin?
Dardana Fetahu: Fatmirësisht, literatura na ofron një mori teknikash e këshillash për t’u ballafaqur shëndetshëm me stresin. Në përgjithësi, meditimi, ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet fizike, gjumi me orar të rregullt dhe shmaniga e alkoolit dhe substancave narkotike, janë këshillat më të rekomanduara.
Konsideroj se në këtë fazë, qytetarët duhet kushtuar vëmendje të veçantë të afërmëve që janë ndikuar dukshëm nga pandemia, t’i përkrahin duke i ndihmuar ata në qasjen më të lehtë në shërbime profesionale të shëndetit mendor, e që tashmë ne vendin tonë ekzistojnë edhe në këto kushte.
Sa i përket qytetarëve që në këto momente po ndjehen të pafuqishëm, të lodhur, të stresuar e ndjenja tjera negative, një telefonatë ju ndan nga një bisedë konstruktive me profesionistë të cilët do të të kuptojnë dhe me gjithë burimet e mundshme do të të ofrojnë ndihmën e kërkuar.
Për të përmbyllur, ju lutem që në rast nevoje të shfrytëzoni mbështetjen falas. Thirr në 038 200 808 90 dhe ndaj shqetësimet e tua me psikologët vullnetarë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Orari i punës së linjës është çdo ditë e javës me fillim nga ora 11:00 deri në 22:00.
Gjithashtu, këshllimi ofrohet edhe në gjuhën turke, por vetëm në ditën e diel në orarin 11:00-19:00. / KultPlus.com