FFK njofton për rregulla që duhen respektuar nga tifozët

4 Qershor, 2022 - 5:30 pm

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar rregullat që duhen respektuar nga të gjithë tifozët që kanë siguruar bileta për ndeshjen e nesërmes mes Kosovës dhe Greqisë.

FFK-ja njofton se rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për automjetet, ndërsa këmbësorëve ju lejohet lëvizja

Në ndërkohë kanë rekomanduar që ardhja në stadium të bëhet më së voni një orë para ndeshjes.

FFK njofton po ashtu se Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e dytë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse.

Gjërat e palejuara përfshijnë:
*Mjetet piroteknike
*Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë
*Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë
*Pijet alkoolike dhe substancat narkotike
*Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh
*Ombrella
*Armë zjarri ose armë të ftohta apo cfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë
*Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme, etj).
*Kamera profesionale dhe video kamera
*Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar

FFK në njoftimin zyrtar thotë se ata të cilët nuk posedojnë bileta nuk do ta kenë mundësinë të ofrohen tek hyrja në portat ku bëhet kontrolli dhe leximi i biletave.

Nesër nuk lejohet poashtu as operimi me dron.

Federata e Futbollit të Kosovës kërkon nga qytetarët që maksimalisht të respektojnë rregullat, në të kundërtën paralajmëron se mund të jenë subjekt i ndëshkimit nga organet ligjore.

Nesër, me fillim nga ora 20:45, Kombëtarja e Kosovës zhvillon ndeshjen e dytë në kuadër të këtij sezoni të Ligës së Kombeve, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” pret Greqinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme