26 Nëntor, 2022 - 9:25 pm
Federata serbe e futbollit u akuzua nga FIFA të shtunën për varjen e një pankarte politike për Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante me Brazilin në Kupën e Botës.
Pankarta tregonte ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe hartën e territorit të Kosovës në mes me mbishkrimin “S’ka dorëzim”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Fotot e banderolës së vendosur mbi dollapët e Milosh Velkoviqit dhe Andrija Zhivkoviqit qarkulluan përpara humbjes 2-0 të ekipit ndaj Brazilit të enjten në Katar.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA dhe ministri i saj i sportit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si tentativë për të shfrytëzuar Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.
Organi drejtues i futbollit nuk dha një afat kohor për një vendim, megjithëse Serbia do të luajë të hënën kundër Kamerunit.
Që kur Kosova u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, trupa evropiane e futbollit është siguruar për arsye sigurie që kombëtarja e Kosovës të mos ballafaqohet me Serbinë apo Bosnje-Hercegovinën në grupet kualifikuese për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian. /KultPlus.com