FIFA gjobit Serbinë për gjestin ndaj Kosovës

8 Dhjetor, 2022 - 1:08 pm

FIFA ka gjobitur sot Federatën serbe të futbollit për deklarata politike në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Serbët u gjobitën me 20.000 franga zvicerane për “shkelje të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores së Kupës së Botës FIFA 2022 në lidhje me pankartën e shfaqur në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes kundër Brazilit, në të cilën është varur një flamur me hartën e Kosovës të lyer me ngjyrat e flamurit serb, me sloganin: “S’ka dorëzim”.

Komisioni Disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) gjobiti edhe Federatën Kroate të Futbollit (HNS) me 50 mijë franga zvicerane për sjelljen e disa tifozëve në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar kundër Kanadasë.

FIFA ka gjobitur edhe Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite dy herë me 15.000 franga zvicerane për sjellje të pahijshme nga lojtarët që kanë fituar gjashtë kartonë të verdhë gjatë ndeshjeve kundër Argjentinës dhe Meksikës./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme