Filantropi Thoma Turtulli, simbol i qytetarisë korçare

6 Tetor, 2023 - 3:06 pm

Universiteti “Fan Noli” i qytetit të Korçës zhvilloi aktivitet përkujtimor në nder të filantropit të njohur korçar Thoma Turtulli.

Takimi ishte organizuar nga Fakulteti i Shkencave Natyrore e Humane, nën kujdesin e dekanes Sonela Stillo.

I pranishëm ka qenë prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryebashkiaku Sotiraq Filo, përfaqësues të komuniteteve fetare etj.

Të pranishmit i përshëndeti dekania e këtij fakulteti prof. as. dr. Sonela Stillo, e cila ndër të tjera tha se, sa herë përmendet filantropia vjen në mendje Thoma Turtulli dhe anasjelltas.

“Misioni ynë sot është të kujtojmë një figurë simbol të qytetarisë korçare, simbol i urtësisë, modestisë, bujarisë, dashurisë, mençurisë, shpirtgjerësisë, por mbi të gjitha, për të mos lënë në harresë njerëz dhe organizata që kontribuojnë në përmirësimin e jetës në shoqëri”, u shpreh dekania Stillo.

Gjatë takimit u shfaq dokumentari për jetën dhe kontributin e Thoma Turtullit përgatitur nga padagogu dr. Ilir Shyta. Gjithashtu në këtë takim përshëndetën edhe kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, mbesa e filantropit Thoma Turtulli etj

“Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbolli në këtë qytet, Thoma Turtulli e filantropë të tjerë me emër. Thoma Turtulli është shembulli më i mirë për të gjithë ne, që në jetën tonë me punën tonë dhe veprat tona të lemë gjurmë të mira, sado të vogla për qytetin dhe vendin tonë”, deklaroi prefekti Jole.

Thoma Turtulli ishte bamirësi që i dhuroi Korçës shumë objekte të rëndësishme, spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun dhe jetimoren. Ky filantrop shpëtoi nga vdekja me dhjetëra njerëz, me spitalin që ngriti në Korçë. Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme