17 Tetor, 2023 - 5:04 pm
Shoqata Sindikale e Filharmonisë së Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me pagat, problem ky me të cilin po ballafaqohen tash e disa muaj, përcjell KultPlus.
Sipas tyre, ky është një diskriminim nga ana e Ministrisë së Kulturës.
“Tash e disa muaj institucioni i Filharmonisë po ballafaqohet me një problem shumë të madh sa i përket çështjes së pagave, ku ka ndodhur një diskriminim nga Ministria e Kulturës dhe vazhdon akoma, duke shkelur afate të paracaktuara nga vet ata dhe duke na lënë pa një përgjigje zyrtare tash e sa kohë”, thuhet në njoftim.
Tutje, nga sindikata janë shprehur se si pasojë e pagave të vonuara, artistët janë revoltuar dhe kanë paralajmëruar se do të marrin masa nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre.
“Si pasojë, artistët e Filharmonisë janë shumë të revoltuar me këtë ndasi brenda institucionit ku të gjithë do të duhej të ishin të barabartë.
Prandaj ne sot, publikisht, i drejtohemi institucioneve përkatëse që të merren shumë seriozisht me këtë çështje dhe të rregullohet brenda afatit të paracaktuar, në të kundërtën jemi të obliguar të marrim masa sindikale duke filluar nga data 1 Nëntor, nëse pagat nuk dalin me nivelizim dhe me retroaktivet e parapara”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com