Fillojnë punimet në ndërtimin e Palestrës Sportive në Zhegër

24 Dhjetor, 2021 - 6:45 pm

Po vazhdon përkushtimi dhe puna intensive në fushën e sportit.

Pas nënshkrimit të kontratës për projektin e palestrës sportive në Zhegër, në këtë vend tashmë kanë filluar punimet.

Për të parë nga afër punët, aty sot ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Duke vlerësuar kontributin që Zhegra i ka dhënë jo vetëm historisë dhe ekonomisë, por edhe kulturës e sportit, kryeministri Kurti theksoi se tani Qeveria ka ndarë fonde për ta përmbyllur suksesshëm këtë projekt. Ne e kemi për obligim që të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpiejmë përpara sportin, por edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi, tha ai.

Kryeministri ritheksoi zotimin e Qeverisë për të punuar për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara, dhe se do të sigurohet që njësoj të funksionalizohen të gjjtha projektet kapitale të fushës së sportit që janë në ndërtim e sipër. Njëkohësisht, Qeveria është duke punuar për të nisur projekte të reja kapitale me qëllim të shtrirjes së infrastrukturës sportive në tërë territorin e Kosovës.

Ky projekt ishte nisur nga komuna e Gjilanit, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi me MKRS por për shkak të parregullsive me komunën dhe me pagesat, Operatori Ekonomik e kishte shkëputur kontratën.

Punimet kanë rifilluar sot, pasi gjatë këtij viti Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur tender për një Operator Ekonomik të ri për vazhdim të projektit. Kontrata është nënshkruar më 22 dhjetor 2021, për projektin aktual në vlerë prej 1.2 milion euro. / KultPlus.com

Të ngjajshme