Fillon java e “Arkivit të Hapur” në shënim të 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës

18 Mars, 2025 - 11:18 am

Në shënim të 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, dje, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave, filloi java e “Arkivit të Hapur”.

Në këtë ngjarje morën pjesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore.

Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, i quajti arkivat gardianë të trashëgimisë dokumentare, që janë një testament themelor i kulturës dhe kujtesës sonë historike, që duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme.

Duke diskutuar arritjet e deritanishme gjatë mandatit të plotë 4 vjeçar, ai përmendi gjashtë fushat në të cilat është ndërhyrë dhe investuar, përfshirë reformën ligjore, sikurse miratimin e ligjit të ri për arkivat dhe hartimin e miratimin e tetë akteve nën-ligjorë; strategjinë afatgjatë shtetërore për zhvillimin e arkivave 2025-2031; përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe kushteve të ruajtjes së materialit arkivor; digjitalizimin masiv të materialit arkivor; lansimin e sistemit elektronik të menaxhimit të materialit arkivor; si dhe, strukturën e re organizative dhe kapacitete të rritura profesionale.

Ndërsa, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, ka prezantuar projektet dhe të arriturat e ASHAK-ut, duke veçuar digjitalizimin e dokumenteve arkivore si dhe investimet dhe rinovimet në ndërtesën qendrore të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës si dhe zgjerimin e hapësirave arkivore në Mitrovicë, Pejë ,Gjakovë dhe Gjilan.

Gjatë kësaj ngjarje u lansua Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Materialit Arkivor, i cili do të krijojë qasje të lehtë në materialin e digjitalizuar arkivor nga jashtë, si dhe do të lehtësojë sistemimin e brendshëm të këtij materiali.

Përgjatë javës së “Arkivit të Hapur” do të zhvillohen përplot aktivitete, kryesisht me nxënësit e shkollave të kryeqytetit./KultPlus.com

Të ngjajshme