Filloristët norvegjezë kthehen në shkolla pas 6 javësh të mësimit nga shtëpia

27 Prill, 2020 - 10:10 am

Norvegjia të hënën e filloi rihapjen e shkollave fillore pasi qeveria e këtij vendi vlerësoi se përhapja e koronavirusit është vënë nën kontroll.

Një javë pas çerdheve, në shtetin skandinav u hapën edhe shkollat për fëmijët e moshës gjashtë deri në 10-vjeçare. Ata ishin duke mësuar nga shtëpia për gjashtë javë. Megjithatë, numri maksimal i nxënësve në një klasë do të jetë 15.

Norvegjia ka filluar që në mënyrë progresive t’i largojë masat e vendosura më 12 mars kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Përpos shkollave, edhe sallonet e floktarëve dhe ordinancat stomatologjike morën leje për ta rifilluar punën e tyre, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, shumë masa të tjera do të vazhdojnë të mbeten në fuqi, përfshirë ndalimin e ngjarjeve sportive dhe kulturore dhe rregullat për distancim fizik.

Deri të dielën, Norvegjia i ka regjistruar 7,505 raste të koronavirusit dhe 193 të vdekur, ndërsa numri i pacientëve të shtrirë në spitale ka rënë në masë të konsiderueshme javëve të fundit. / KultPlus.com

Të ngjajshme