Firmëtari i Pavarësisë Dhimitër Berati, i persekutuar nga diktatura

25 Nëntor, 2022 - 6:25 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi firmëtarin e Pavarësisë, Dhimitër Berati, i cili u mohua dhe u persekutua nga diktatura komuniste.

Dhimitër Berati lindi në Korçë më 15 tetor 1886. Studimet i kreu në Universitetin e Bukureshtit në degën e Shkencave Politike dhe Drejtësisë. Ishte ndër themeluesit e klubit patriotik “Dituria” në Korçë, në vitin 1908.

Pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit për arsimin në Shqipëri. Dhimitër Berati ka qenë gjithashtu një personalitet i rëndësishëm i kolonisë shqiptare në Rumani. Ishte kjo koloni e cila mirëpriti Ismail Qemalin në rrugëtimin e tij për pavarësinë. Si delegat i kolonisë së Bukureshtit, Dhimitër Berati merr pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe është një ndër firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Gjatë kësaj periudhe, drejton organin e  shtypit të qeverisë së Vlorës, “Përlindja e Shqypnis”.

Dhimitër Berati ka kontribute të rëndësishme në konsolidimin e shtetit shqiptar. Në vitet 20-30’, ai ka shërbyer si diplomat në Paris, Sofje, Romë. Gjithashtu, ka mbajtur pozicione të larta në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe si ministër i Ekonomisë. Gjatë pushtimit, ai ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Është caktuar si ministër i Kulturës në qeverinë e Mustafa Krujës.

Me rënien e qeverisë Mitrovica gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë, nën kërcënimin e regjimit komunist, Dhimitër Berati largohet nga vendi për t’u mos u kthyer më kurrë. Vendoset në Romë, aty ku bashkëpunon me Ernest Koliqin në revistën “Shejzat”, derisa ndërron jetë më 8 shtator 1970./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme