Fitim Uka me fjalë emocionuese për nënën: Për plot 9 muaj, kam gjetur strehë brenda trupit të saj

8 Mars, 2023 - 2:00 pm

Nga Fitim Uka

Për ditën e nanës!

Për plot 9 muaj, kam gjetur strehë brenda trupit të saj.

Sikur të mos mjaftonte fryma që ndante për mua… edhe kur erdha në këtë botë ajo mu bë mburojë me trup e mendje.

Asnjë mosmirënjohje dhe hatërmbetje e imja nuk e zbehu dashurinë e saj të pakushtëzuar.

Ia kam shtuar dhjetëra rrudha ballit me ankesat e mija të pavenda, teket e ushqimit, por për të mbeta përherë i pafajshëm.

Vazhdon e bart mbi supe brenga krejt të pakuptueshme për shëndetin tim, përderisa harron për çdo ditë shëndetin e saj që venitet.

Ma thotë që i kam lënë peng ëndrrat për t’i falur kujdesin, pa e kuptuar që ëndrra ime është bekimi i saj.

Sot, dua ta shpallë secilën ditë, si “Dita e Nanës”, dhe prap kam frikë se kjo nuk mjafton për të paguar sakrificën e saj.

Sot e për çdo ditë, mirënjohës ty nanë!

P.S. Thonë që kujtimet e fëmijërisë së hershme shlyhen , humbasin e harrohen. Megjithatë, unë besoj që dashuria dhe atashimi që krijojmë me nanën, është dëshmi që kujtimet janë aty, veçse nuk e kemi çelësin. Mbase, nanat nuk duan të kujtohen për sakrificat që bëjnë për të na rritur, por për dashurinë që falin për çdo ditë të lume! / KultPlus.com

Të ngjajshme