10 Qershor, 2022 - 4:59 pm
Pas ecjes së krenarisë, në rrjete sociale është shpërndarë fjalimi i një nëne kosovare, e cila ka shprehur përkrahjen për djalin e saj, pjesë e komunitetit LGBTQI+. Ajo thotë se është krenare për djalin e saj dhe u ka kërkuar prindërve që të pranojnë fëmijët e tyre ashtu siç janë.
“Qëndrojë sot para juve si një nanë krenare e djalim tem gay”, ka nisur fjalimin e saj Shemsije Çerkini.
Ajo thotë se fëmija është pika ma e dobët e çdo prindi, pa marrë parasysh gjinisë, apo orientimit seksual.
“Evladi është pika e dobët, zemra e cdo prindi. Çdo evlad, cdo fëmijë, qoftë djalë, vajzë, a çkado. Qoftë gej, lesbike, trans. Rehatia e evladit tem është ma e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë botë”.
Çerkini ka thënë se është krenare me personalitetin që e ka djali i saj dhe “që është ai që është”.
Nëna kosovare thotë se “i dhemb zemra”, kur qytetetarë të komunitetit i tregojnë për dhunën që u shkaktohet dhe për vështirësitë dhe mospranimin nga familja dhe nga shoqëria.
“Fëmijët e meritojnë me u pranu e me u dashtë”, thotë ajo, duke këshilluar që të përkrahën fëmijët nga prindërit, edhe kur nuk i kuptojnë ata.
Çerkini thotë se nuk duhet t’i bëhet jeta më e vështirë fëmijëve. gazeta express/ KultPlus.com