1 Shtator, 2024 - 6:00 pm
Ahmet Zogu mbetet figurë historike me rëndësi në drejtimin e shtetit shqiptar. Gjenialiteti i tij politik lidhet me aftësitë personale dhe jo me emërtesën e postit të tij apo formën e regjimit.
Mbretëria e shqiptare u rrëzua nga i pari agresion fashist në Europë më 7 prill 1939. Ajo iu rikthye popullit shqiptar në tetor 1943, ndërsa formalisht ekzistoi deri më 11 janar 1946.
Fjala e parë e Ahmet Zogut si mbret
Zotërinj!
Në mesazhin që iu drejtova para disa ditësh, ju përshëndeta duke ju uruar suksese juve etërve të kombit. Sot po ju drejtohem si shok bashkëpunëtorë të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e larta të krerëve të ndershëm të stolisur me kurorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në kryesinë e shtetit shqiptar, në të cilin titull qoftë, shëmbëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të atdheut.
Sot, në çastin që ngarkohem me detyrën e rëndë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit, të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes suaj, do të veproj duke marrë parasysh, përgjegjësinë morale të cilën herët a vonë, di ta çmojë populli shqiptar me një energji të pakufishme për lartësimin e vendit.
Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë, edhe bijtë e shqipes mund të krijojnë një shtet. Që nesër detyrën e kemi dhe më të rëndë se duhet t’i tregojmë botës se edhe shqiptari si çdo popull i qytetëruar mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve, ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të mirë, mund të kryejmë një detyrë historike.
Në regjimin e re, Shqipëria do të jetë një faktor paqtues në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinj e dashamirë, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër.
Zogu me shokët e vet, jo vetëm që do të mbrojë të drejtat kombëtare, por edhe ku do të jetë nevoja, me dorën e tyre të padridhur do ta shtyjë popullin trim shqiptar për arritjen e qëllimit të lartë, atij ideali që na ka falur natyra dhe ka shënuar historia, duke lartësuar edhe vendin në sheshin e qytetërimit.
Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tuaja, t’i thoni popullit sovran se prijësi i tij e sheh veten si çdo shqiptar edhe me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja edhe jetën, sipas dëshirës së tij dhe për të mirën e vendit.
Zotërinj, dalshim faqebardhë përpara historisë.
(Shënim: Fjalimi botohet i redaktuar me gjuhën e sotme letrare)/KultPlus.com