Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë

17 Shkurt, 2023 - 1:14 pm

Më lejoni që fillimisht të falënderoj Filarmoninë e Kosovës për këtë minikoncert të mrekullueshëm në fillim të kësaj Seance, dhe po ashtu të falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj që na ka nderuar me prezencën e tij.

Z. President,

Z. Kryetar i Kuvendit z. Konjufca,

Z. Kryeministër Kurti,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të kabinetit qeveritar,

Shumë të nderuar deputetë, përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar shkëlqësi ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, veteranë të luftës,

Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Shumë të dashur qytetarë të Republikës!

          Jam e nderuar që sot, në ditëlindjen e pesëmbëdhjetë të Republikës sonë, të mund t’ju drejtohem nga foltorja e Kuvendit të Republikës, institucionit që bart peshën e jetës plurale dhe demokratike në vendin tonë.

Prandaj, duke bartur në kujtesë këtë akt sublim të shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar të vendit tonë për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët; ta kujtojmë sakrificën  e pashembullt dhe qëndresën e pareshtur të brezave, e cila i parapriu jetësimit të ëndrrës për liri e demokraci; ta kujtojmë prijatarin e shtetësisë sonë, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, i cili e siguroi respektin e gjithë botës demokratike; t’i kujtojmë bijtë e bijat tona, të cilët, të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vendit, komandantin historik të kësaj ushtrie, Adem Jasharin, i cili i priu rezistencës për liri; t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të Kosovës, të cilët përgjatë këtyre 15 vjetëve kontribuuan në ndërtimin e jetës demokratike në vend, por edhe në paqen e përgjithshme, të kujtojmë po ashtu kontributin e ushtarëve e policisë sonë, përfshirë ushtarët e FSK-së, të cilët, përderisa ne sot po festojmë 15 vjetorin e shtetit tonë, ata po luftojnë për shpëtimin e jetëve nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti tragjik i cili e goditi Turqinë dhe Sirinë, ditë më parë.

          Por, sot i rikujtojmë e u falënderohemi edhe miqve tanë, aleatëve tanë, të cilët i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë e miq të lirisë, të cilët kanë qenë së bashku me ne përherë, kur ne ishim të shtypur e luftonim për lirinë, kur u çliruam dhe filluam jetën demokratike në tokën e lirë, në vendin e lirë e të dashur tonin. Ata janë këtu edhe sot, partnerë të besueshëm e të qëndrueshëm, me të cilët bashkërisht ne po e ndërtojmë të ardhmen tonë, si partnerë të besueshëm e ndërveprues.

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë të vendit tonë!

          Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri; ajo ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve, i ka ndërtuar e zhvilluar kapacitetet e saj shtetërore dhe ka krijuar bazë solide për funksionim të mëtejshëm. Institucionet tona po forcohen dita-ditës. Kjo është e arritur e madhe e qytetarëve tanë.

Sfidat, sigurisht, kanë qenë të pranishme, por i kemi tejkaluar me urti, duke qenë të përkushtuar për shtet të mirëfilltë e partneritet të qëndrueshëm me aleatët tanë.

Këto sfida ndonjëherë na kanë bërë të përplasemi së brendshmi, ngaqë pikëpamjet tona kanë qenë të ndryshme, sikur është e nënkuptueshme për shoqëritë demokratike. Por, gjithsesi, na kanë bërë edhe më të fortë. Kanë dëshmuar aftësinë tonë për të qenë të qëndrueshëm karshi tyre e për ta zhvilluar më tej jetën tonë demokratike.

Këto sfida janë të pranishme edhe sot, kur Kosova, falë përcaktimit të saj të hershëm, po përpiqet që ta fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Sigurisht, Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve që e kanë sfiduar gjithë kontinentin tonë dhe botën demokratike. Por, ajo nuk mund t’i injorojë edhe kërcënimet e sigurisë ndaj saj, të cilat vijnë si rrjedhojë e përpjekjeve për ta minuar shtetësinë tonë.

Sot e kësaj dite, forca destruktive provojnë ta cenojnë shtetësinë  tonë. Ato provojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre, duke përdorur përpjekjen për ta thyer unitetin tonë historik karshi çështjeve madhore. Porne nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla. Në përballje me Serbinë, duhet dhe do të jemi një. Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndiejmë e të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave.

Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit: i institucioneve, i gjithë spektrit politik e i secilit qytetar, pa dallime, ashtu siç ishte edhe liria jonë e pavarësia e Kosovës ëndërr dhe mision i shumë brezave dhe gjeneratave para nesh.

Prandaj, pavarësisht dallimeve në pikëpamje, ide dhe platforma politike, spektri politik i vendit, do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen të minojnë shtetin tonë, apo të pengojnë përparimin e tij. Ashtu siç kemi qenë të bashkuar gjithmonë dhe kurdoherë që e ka kërkuar interesi madhor i vendit tonë.

Beteja për fuqizim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e rruga drejt integrimit euro-atlantik, kërkon bashkëveprim të plotë me shtetet mike e aleate, tepër të rëndësishme historikisht për secilin proces të rëndësishëm nëpër të cilin ka kaluar Kosova jonë.

Siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimit në familjen evropiane dhe të anëtarësimit në NATO po me ndihmën e tyre. Ne jemi fuqishëm në anën e aleatëve tanë, ndaj është e domosdoshme që vendet e Ballkanit Perëndimor ato që janë demokratike sa më parë të anëtarësohen në NATO dhe BE, si masë parandaluese kundrejt cenimit politik, ushtarak e ekonomik të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e kemi thënë gjithsecili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe Presidenti Biden në letrën e tij drejtuar mua si Presidente e vendit dje, e ajo është njohja reciproke. Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti jonë janë të panegociueshme.

Të nderuar deputetë!

Përvjetorët si ky janë mundësi e mirë për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë të gjatë e të dhimbshëm por krenar si dhe mundësinë që, duke punuar çdo ditë, ta zhvillojmë më tej jetën tonë demokratike e ta forcojmë shtetin tonë për të cilin është sakrifikuar aq shumë. Prandaj, le të punojmë bashkë e pareshtur që shtetin tonë, Republikën e Kosovës, ta zhvillojmë e ta forcojmë. Sa më shumë që të tjerët punojnë për minimin e shtetit tonë, aq më i fortë do të jetë uniteti ynë për ta forcuar dhe për ta përparuar atë, sepse Republika jonë është e përjetshme.

Zoti e bekoftë Republikën e  Kosovës!

Zoti i bekoftë miqtë e saj!

Zoti i bekoftë qytetarët tanë!

Faleminderit! / KultPlus.com

Të ngjajshme