15 Shkurt, 2024 - 6:00 pm
Më 18 nëntor të vitit 1969, Kuvendi i KSA të Kosovës, miratoi ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, ndërsa Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt të vitit 1970.
Më 15 shkurt të këtij viti, më saktë dy ditë më vonë u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit për përurimin e Universitetit të Prishtinës. Dita e 15 shkurtit u shpall ditë e Universitetit të Prishtinës. Në këtë Kuvend, u promovua edhe rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Dervish Rozhaja.
Në Kuvendin solemn me rastin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, dr. Dervish Rozhaja tha:
“Themelimi i Universitetit të Prishtinës është ngjarje historike dhe është një hap kualitativ përpara në progresin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të shoqërisë. Zhvillimi i fuqishëm i shkencës, sjell ndryshime përkatëse në koncepcionin dhe pozitën e saj në shoqëri. Në vend të shkencës, si aktivitet i ndarë nga jeta, sot kemi depërtimin e saj në të gjitha poret e jetës. Në vend të shkencës me të cilën merret një numër i kufizuar personalitetesh, po përhapet gjithnjë e më shumë puna shkencore si veprimtari shoqërore.
Tani po zhvillohen dy procese komparative, të njëkohshme dhe konvergjente; shoqëria po përvetëson gjithnjë e më shumë shkencën si faktor kapital i zhvillimit dhe progresit, e shkenca po kalon gjithnjë e më shumë në duart e shoqërisë. Kërkesat e shoqërisë dhe ndryshimet në karakterin e veprimtarisë shkencore, kushtëzuan që të mos jetë më privilegj shoqëror, por shprehje e domosdoshme e shoqërisë. Shkollimi universitar po bëhet për ngritjen me sistem të kualitetit të procesit mësimor shkencor”, tha ndër të tjera në fjalën e tij solemne rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, dr. Dervish Rozhaja.
Prof. Ibrahim Berisha, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në librin e tij “Vdekja e kolonisë” thekson: “Deri në vitin 1986, në Universitetin e Prishtinës doktoruan mbi 300 kandidatë dhe magjistruan 320 të tjerë. Pas lëvizjes studentore në Pranverën e vitit 1981 me të cilën u solidarizuan shqiptarët, dhuna politike dhe policore u shtua ndaj profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe kështu filloi të zhvillohej fushatë e ashpër e diferencimeve, ndëshkimeve dhe përjashtimeve nga puna e kuadrit mësimdhënës dhe të studentëve shqiptarë.
Universiteti i Prishtinës nga organet politike dhe shtetërore të ish-Jugosllavisë, nisi të trajtohet si institucion që prodhon destabilitet dhe armiqësi ndaj shtetit komunist. Në këtë proces të diferencimeve, e drejta për të studiuar iu mohua 568 studentëve shqiptarë. Si masë e domosdoshme për regjistrim në vitin e parë të studimeve ishte ‘dëshmia për cilësitë moralo-politike të studentëve”, thekson ndër të tjera prof. Ibrahim Berisha në librin e tij “Vdekja e kolonisë”.
(Marrë nga profili i Bajram Mjekut) / KultPlus.com