Fjalimi i rrallë i Nolit: Nuk e shpikëm patriotizmin shqiptar, e gjetëm (VIDEO)

7 Janar, 2021 - 4:11 pm

Një ndër fjalimet e rralla që kanë mbetur nga figura e Fan Nolit është edhe ai i mbajtur në takimin e shoqërisë Vatra në SHBA në 1963.

Këtë fjalim të Nolit e kanë publikuar Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, duke e sjellur videon në të cilën shihen imazhe nga dokumentari “Krahë për Krahë”, nën regjinë e Endri Kekos dhe Ho Y Shen.

KultPlus ua sjell fjalimin e shkruar dhe videon ku dëgjohet zëri i veprimtarit të madh, Fan Noli:

“Ne nuk e inventuam, nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare, e gjetëm. E vetmja gjë që bëmë, është që atë patriotizmë që ekzistonte midis shqiptarëve u përpoqmë t‘a organizojmë, t‘a kanalizojmë. Tashi, arësyeja për të cilën na vajti puna mbarë, ishte se kishim një popull me të vërtetë i cili e deshte Shqipërinë. Edhe një popull i cili, jo vetëm kishte patriotizmë, virtytin e patriotizmës, por kishte edhe disa virtyte të tjera, nga të cilat do të numëronj vetëm një, të cilën na e kanë thënë që të gjithë të huajt të cilët kanë vizituar Shqipërinë. Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqësonjësi i Hindit Muhamed Aliu, u bëri këtë lëvdatë shqiptarëve: Sot, tha, bëmë punën më të bukur që qasmë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Ky është i vetmi vend në këtë botë i cili ka një shumicë muhamedane edhe na dërgon këtu si përfaqësonjës një peshkop ortodoks”, thotë mendimtari, teologu dhe politikani Fan Noli. KultPlus.com

Të ngjajshme