2 Korrik, 2024 - 9:40 am
Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e sotme dhe ajo e nesërmja janë ditë zie kombëtare, në nderim të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar ulet në gjysmështizë.
Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore do të ngrihet një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit.
Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në moshen 88-vjeçare. Ai ishte e mbetet shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës dhe vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme.
Arriti famën e merituar, që me botimin në vitin 1963, të romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës./atsh/KultPlus.com