Flamuri gjigant nga Fieri i jep ngjyra kuq e zi Mitrovicës

28 Nëntor, 2019 - 9:50 pm

Një flamur kombëtar gjigant kuqezi, e ka mbuluar ndërtesën përballë urës së Ibrit në Mitrovicë. Flamujt kombëtarë valojnë gjithandej, megjithëse mbretëron qetësi që nuk është karakteristikë e festës kombëtare.

Në rrethana tjera, në një ditë si kjo, ky shesh do të gumëzhinte nga muzika. Por, nën dhimbjen e tragjedisë së Durrësit, festa është e zymtë, raporton KTV.

Të gjitha aktivitetet e planifikuara janë anuluar. Por, Kristaq Ziu mendon se asnjë fatkeqësi e çfarëdo lloji nuk mund ta ndalë kombin shqiptar që t’i kujtojë ditët historike. Ai solli flamurin nga Shqipëria dhe e vendosi në sheshin e Mitrovicës.

Ngjitur me përmendoren e Isa Boletinit, është vendosur një portet i Ismail Qemajlit.

Për të parën herë pas 1912-s, ata qëndrojnë kështu afër, kësaj radhe në gur.

Autori i kësaj vepre thotë të jetë emocionuar derisa po vinte në Kosovë, kur në Rrugën e Kombit pa qindra kamionë duke dërguar ndihma për të prekurit e tërmetit.

Kjo temë është diskutimi kryesor për qytetarët e Mitrovicës, që kanë zgjedhur ta kalojnë mesditën e 28 Nëntorit në këtë shesh, ku kryesisht shfrytëzojnë rastin për fotografi me simbolet kombëtare.

Mitrovica, si çdo qytet tjetër, ka hapur pikën e grumbullimit për ndihma. Ndërsa qytetarët janë shprehur të gatshëm t’i strehojnë ata që kanë zgjedhur të vijnë në Kosovë në këto ditë krize. /Koha ditore /KultPlus.com


Të ngjajshme