6 Prill, 2023 - 11:40 am
Mira Murati, shqiptarja që drejton zhvillimin e teknologjisë që po ndryshon botën, ka folur në një intervistë për prestigjiozen La Repubblica.
“Prindërit e mi jetojnë në Itali dhe unë e kam mësuar italishten në TV, si të gjithë shqiptarët”. Me pak fjalë, shefja e Teknologjisë së OpenAi, kompania që krijoi inteligjencën artificiale ChatGpt, ia kishte idenë se çfarë do të thoshte “Garante” (Autoriteti Italian i Mbrojtjes së të Dhënave).
E njihte edhe përpara se autoriteti italian i privatësisë ta ndalonte kompaninë të prekte të dhënat e italianëve, duke e bllokuar atë.
“Ishte një surprizë, ata nuk na kishin kontaktuar më parë,” tha inxhinierja 34-vjeçare përmes lidhjes që bëri nga San Francisko në samitin OpenAi.
“Ne respektojmë ligjet evropiane për të dhënat personale, por jemi të hapur për dialog me Autoritetin dhe shpresojmë që së shpejti të rikthejmë shërbimin në Itali. Nga sa lexova, opinioni publik është me ne,” thotë Mira.
“Ne besojmë se shërbimet tona janë në përputhje me Autoritetin dhe ne punojmë në mënyrë aktive për të reduktuar të dhënat personale në trajnimin ChatGpt. Është e rëndësishme që këto sisteme të mësojnë konceptet që ne njohim, si teksti ose videot, por jo domosdoshmërisht informacione për individët privatë,” shprehet ajo.
Më 20 mars, pati një rrjedhje në sistemet tuaja që ekspozoi të dhënat personale të përdoruesve dhe madje edhe një pjesë të numrave të kartave të tyre të kreditit.
“Ishte një gabim i komponentit me burim të hapur dhe kur e morëm vesh, çaktivizuam menjëherë ChatGpt për të rregulluar problemin. Gabimi gjithashtu bëri që informacioni i pagesës së 1% të të regjistruarve në ChatGpt të ekspozohej. Nuk dukeshin numrat e plotë të kartës së kreditit. Tani problemi është zgjidhur dhe nuk ka asnjë rrezik në progres për të dhënat e përdoruesit”.
Kujt i krijon më shumë probleme ndalimi i përdorimit: OpenAI apo Italisë vetë?
“Nga ajo që kam lexuar kuptoj që opinioni publik në Itali është në favor të ChatGpt. Ne nuk duam të largohemi nga Italia dhe shpresojmë të rifillojmë shërbimin së shpejti dhe se vendimi nuk do të ketë një ndikim afatgjatë.”
Autoritete të tjera, nga Irlanda në Gjermani, po vlerësojnë lëvizje të ngjashme. A keni frikë nga një reagim i kundërt rregullator, në Evropë apo në pjesën tjetër të botës?
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ligjvënësit dhe qeveritë, në Evropë dhe në mbarë botën, për të kuptuar sesi teknologjia duhet të evoluojë nga pikëpamja rregullatore. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në vendet e tjera, por shpresoj që nëse disa qeveri kanë shqetësime ata do të jenë të hapur për dialog në vend që të na mbyllin”.
Një letër e nënshkruar nga shumë intelektualë dhe sipërmarrës të teknologjisë, përfshirë Elon Musk, ju kërkon të ndaloni trajnimin e inteligjencës artificiale për të paktën gjashtë muaj, nga frika se teknologjia do të dalë jashtë kontrollit të vetë krijuesve. A do të ndaloni?
“Ne po diskutojmë premtimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale me grupe dhe organe të ndryshme qeveritare për vite me radhë. Edhe ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një përshpejtimi të teknologjisë”.
Shumë kanë frikë se ChatGpt do të ketë ndikime që mund të kërcënojnë stabilitetin e demokracive tona, për shembull duke eliminuar miliona vende pune. Si e shihni këtë?
“Inteligjenca artificiale do të transformojë strukturën e realitetit tonë dhe të shoqërisë sonë. Sot përdoret kryesisht si një mbështetje, si një asistent që përmirëson punën e dikujt. Por si teknologjitë e tjera të përgjithshme pres që të ndryshojë natyrën e disa punëve: ndoshta do të krijojë vende pune të reja, të cilat nuk i imagjinojmë dot, të tjerat do të ndryshojnë.” /KultPlus.com