Florent Buca, themeluesi i studios ‘Penta’: Mjafton të punohet me zell çdo ditë, edhe pse ka vështirësi përgjatë rrugës

30 Qershor, 2020 - 8:19 pm

Qendrim Badalli

Artisti Florent Buca nga Gjilani kohëve të fundit ka bërë bujë të madhe me punimet e tij artistike. Buca shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Gjilan teksa studimet bazë dhe ato post-diplomike i ka kryer në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në degën e dizajnit grafik.

Për KultPlus ka qenë në interes që gjithë fillimin e aktivitetet të tij profesional, punën e tij të përditshme, si dhe vlerësimin e tij për artin në përgjithësi, ta ofroj para publikut të gjerë artdashës.

Përpos intervistës, ekspluzivisht për KultPlus, Florent Buca ka ofruar punimet e pa publikuara më parë.

Florent Buca fillimisht ka treguar për hapat e parë të tij në fushën artistike:

“Me art kam filluar të merrem që nga mosha e hershme. Atëkohë, bota e artit në përgjithësi ka pasë një evoluim të madh, gjë që veç më tepër ka qenë nxitje për mua. Nuk ka qenë zgjedhje rastësore. Ka qenë e planifikuar gjatë, duke punuar për t’i dhënë më shumë afinitet talentit”.

Tutje, Buca ka folur konkretisht për vështirësitë që ka hasur në fushën e tij profesionale:

“Fusha e dizajnit grafik, dhe përgjithësisht multimedia, përpos që kërkon kreativitet, punë të vazhdueshme, normalisht që kërkon edhe pajisjet teknologjike. Pas luftës në vend, ani pse ne kemi pasur shumë zhvillim në shumë aspekte e dimensione si shoqëri, në fushën e artit ka pasë ngecje dhe jo vëmendje të duhur. Mund të them që mungesa e pajisjeve të rafinuara teknologjike ka qenë njëra ndër sfidat kryesore. Kujtoj, edhe gjatë viteve të studimit ka pasë mungesë të theksuar të ‘infrastrukturës’ teknologjike. Me globalizmin si dukuri, konkurrenca në treg është më e madhe, dhe si rrjedhojë edhe mundësia për të bërë përzgjedhje të pajisjeve është më e larmishme dhe më e leverdishme”.



Buca, përmend edhe disa profesionist që e kanë motivuar atë në ngritjen e tij profesionale:

“Artistët që mua në vazhdimësi më motivojnë, dhe pothuajse i përmendi në çdo intervistë janë: Milton Glaser, Bansky, Jeff Koons, Yayoi Kusama e Damien Hirst. Secili profesionist, e sidomos individët që merren me fushën e artit, padyshim do të donin të ishin motiv, pse jo edhe model që inspirojnë ata të cilët duan të ndjekin një punë apo profesion të tillë”.

Ai tregon për motivimin e tij teksa flet edhe për natyrën e punimeve të tij si dhe përpjekjen e tij për ngritjen e vetëdijes kolektive përmes artit profesional:

“Inspirimi për punën time më vjen natyrshëm. Nga interaktiviteti i përditshëm me shoqërinë. Gjithashtu, kreativiteti më vjen edhe nga përvoja personale. Fatkeqësisht, apo fatmirësisht, shumë nga punimet e mia përmbajnë ilustrime të dukurive negative në vend dhe më gjerë. Unë zgjedh t’i publikoj shumë herë ato, sepse përmes tyre dua të ngris zërin e t’i luftoj, dhe pse jo të ngris vetëdijen kolektive.  Dimension të veçantë në punën time kanë edhe historia, kultura e zakonet tona. Pra, përgjithësisht atë që shoh, përceptoj, ndjej, e sfidohem e hedh në letër”.

Buca ka qenë themelues i studios “Penta”, për të cilën na ka folur në këtë intervistë:

“Po, unë kam qenë themelues i studios ‘Penta’. Kam bërë shumë edicione të librave të bizneseve për vite me radhë. Të them të drejtën atë kohë teknologjia nuk ka qenë e nivelit të tanishëm dhe praktikisht puna, realizimi i tyre ka qenë më i zorshëm. Tash me super shtrirjen e gjerë të masmediave, të avancimit teknologjik të pajisjeve përkatëse, edhe dizajnimi ka marrë më shumë jehonë dhe është bërë më atraktiv e më lehtë i realizueshëm”.

Ai, flet për zhvillim të dizajnit grafik në Kosovë dhe flet edhe për lehtësimin që digjitaliteti në përgjithësi ia mundëson artistëve në përgjithësi:

“Nëse kthehemi në retrospektivë, prej atëherë, dizajni grafik është zhvilluar përmbajtësish dhe teknikisht në mënyrë drastike në Kosovë.  Vite më herët, programet kompjuterike kanë qenë mjete ndihmëse të dizajnerit, ndërsa sot është mjeti kryesor i punës. Nuk ka diskutim që progresi i avancuar teknologjik, ua lehtëson artistëve punën teknike në realizimin e idesë finale. Si pasojë e kësaj, kemi më shumë se kurdo herë artistë vizuel që ekspozojnë nëpër galeritë më të famshme botërore. Pra, me zhvillimin e programeve dixhitale, natyrshëm po ndodhë edhe perfeksionimi i artit në përgjithësi”.

Duke përfunduar intervistën për KultPlus, Florent Buca ‘punën e vazhdueshme’  e jep si rekomandim për artistët e rijnë:

Ju falënderoj edhe unë shumë për këtë bashkëbisedim. Është kënaqësi e veçantë për mua. Sa i përket pyetjes, mjafton të punohet me zell çdo ditë, edhe pse ka vështirësi përgjatë rrugës. Por, rezultatet e punës së vazhdueshme do të shpaguhen. Padyshim pjesë e punës praktike, duhet të jenë leximi dhe informimi i vazhdueshëm, për të qenë në trend me artin bashkëkohor“. / KultPlus.com

Të ngjajshme