Fluks vizitorësh në Nëntorin e Festave, Hafizi: Rreth 10 mijë në Muzeun e Krujës

29 Nëntor, 2024 - 5:45 pm

Një fluks i lartë vizitorësh është shënuar gjatë muajit nëntor, në kuadër edhe të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “nga 1 nëntori deri më sot, rreth 10 mijë vizitorë e kanë vizituar muzeun”.

“Pjesa më e madhe e vizitorëve që kanë ardhur në muze gjatë muajit nëntor kanë qenë nxënës shkollash nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kanë mësuar më shumë rreth historisë së popullit shqiptar dhe në veçanti të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”, tha Hafizi.

Ndërkohë që qendra muzeore e Krujës ka shënuar gjithashtu fluks të lartë vizitorësh gjatë muajve janar-tetor. Në këtë periudhë rreth 160 000 vendas e të huaj vizituan Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazarin karakteristik të Krujës.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982.

Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit. Muzeu ka mahnitur shumë vizitorë nga vende të ndryshme përgjatë viteve. Ai është kthyer në një pikë turistike fantastike./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme