‘Fol me mu’, platforma më e re për shëndetin mendor, Spahiu: Jini të butë me veten, guxoni të kërkoni ndihmë

29 Tetor, 2021 - 12:08 pm

Xhemile Hysenaj

Tash e sa kohë vëmendja e botës është kthyer nga rëndësia e edukimit mbi shëndetin mendor dhe në trajtimin e këtij të fundit. Fatmirësisht, as Kosova nuk po qëndron larg këtij fenomeni, ku tash më shumë se kurrë është temë diskutimi nëpër rrjete sociale e po ashtu edhe në televizone. Së fundmi është edhe psikologia dhe logopedia Donjeta Spahiu e cila këtë çështje po e trajton me seriozitetin më të madh të mundshëm përmes platformës së saj ”Fol me mu”, shkruan KultPlus.

”Fol me mu” është një platformë online që zë vend në rrjetin social Instagram, ku tash e sa kohë është në dispozicion të të gjithë atyre që vuajnë nga problemet me shëndetin mendor, e njëherit edhe si pikë referuese mbi edukimin për shëndetin mendor.

”Ideja për krijimin e platformës ”Fol me mu” ka lindur në kohën e fillimit të pandemisë, kryesisht gjatë periudhës dy mujore të karantinës, ku unë dhe shumë profesionist të tjerë të shëndeti mendor kemi ofruar ndihmë të parë psikologjike për personat në nevojë. Aty e kam pa nevojën e madhe të individëve për edukimin mbi shëndetin mendor dhe kam vendosur që platforma ”Fol me mu” të jetë pikërisht vendi ku individët e caktuar të marrin informacione të sakta në lidhje me shëndetin mendor”, tregon Spahiu për KultPlus.

Spahiu ka treguar se arsyeja pse ajo ka zgjedhur rrjetin social Instagram për platformën ”Fol me mu”, ka të bëjë me faktin se ky rrjet social përdoret jashtëzakonisht shumë nga qytetarët në përgjithësi dhe se kështu ata do të kenë më të lehtë qasjen e tyre. Ndër tjera, Spahiu thekson se ndër synimet e saj në lidhje me këtë platformë, ka të bëjë me rritjen më të madhe elektronike të ”Fol me mu” ku të gjithë do të mund të kenë qasje për të marrë ndihmën e parë psikologjike.

Shëndeti mendor ose Higjiena mendore është niveli i mirëqenies psikologjike ose mungesa e sëmundjes mendore. Më konkretisht është gjendja e dikujt që “funksionon në një nivel të kënaqshëm të rregullimit emocional dhe të sjelljes”. Nga këndvështrimi i psikologjisë pozitive ose të holizmit, shëndeti mendor mund të përfshijë aftësinë e një individi për të shijuar jetën dhe për të krijuar një ekuilibër midis aktiviteteve të jetës dhe përpjekjeve për të rritur aftësinë psikologjike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), shëndeti mendor përfshin “mirëqenien subjektive, vetë-efikasitetin e perceptuar, autonominë, kompetencën, varësinë ndër-gjeneruese dhe vetë-aktualizimin e potencialit intelektual dhe emocional të dikujt”. OBSH shprehet më tej se mirëqenia e një individi është e përfshirë në realizimin e aftësive të tyre, përballimin e streseve normale të jetës, punës prodhuese dhe kontributit për komunitetin e tyre. Dallimet kulturore, vlerësimet subjektive dhe teoritë profesionale konkurruese të gjitha ndikojnë në mënyrën se si njeriu e përcakton “shëndetin mendor”.

”Edukimi mbi shëndetin mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe gjithnjë duhet të barazohet me atë fizik. Në Kosovë nuk trajtohet shumë dhe kjo vërehet kur marrim për bazë nevojën e madhe të individëve, pikë së pari për informacionet mbi shëndetin mendor, reagimet emocionale, problemet me sjelljen, njohjen e vetvetes etj. Mirëpo, prapë jam optimiste pasi kohën e fundit edhe tek ne i është dhënë një rëndësi mediatike edhe pse kërkesat janë të ulëta karshi nevojës për trajtim”, shprehet tutje Spahiu për KultPlus.

Spahiu po ashtu ka treguar për KultPlus se moshat që kërkojnë trajtim në këtë platformë janë prej më të ndryshmeve, duke filluar nga 14-të e deri në 30-të vjeç, gjë për të cilën beson se ka të bëjë me faktin që kjo është mosha më e madhe që përdor rrjetin social Instagram. Ndërkaq, ajo ka theksuar se edhe pandemia Covid-19 ka ndikuar shumë në shëndetin mendor, por që nga ana tjetër, edhe ka hedhur dritë mbi këtë fakt duke ngritur vetëdijen për sa i përket rolit që edukimi mbi shëndetin mendor ka tek secili individ.

Në pyetjen se cilat janë problemet më të shumta për të cilat individët adresohen në ”Fol me mu”, Spahiu ka treguar për KultPlus se problemet më të shpeshta të atyre që kërkojnë ndihmë nga kjo platformë kanë të bëjnë me ankthin dhe sulmet e panikut.

”Fol me mu” do të ju shërbejë të gjithë individëve të marrin ndihmën e parë psikologjike, duke u bërë kështu edhe si një rrugë ndihmëse për të trokitur në derën e psikologut dhe të pranohet trajtimi i duhur psikologjik.

”Mesazhi im për të gjithë ata që vuajnë nga problemet me shëndetin mendor është ky: Jini të butë me veten dhe guxoni të kërkoni ndihmë atëherë kur mendoni se nuk mundeni të ndihmoni veten”, përfundon Spahiu.

Psikologët dhe punëtorët socialë luajnë role shumë të rëndësishme në fusha të ndryshme të shëndetit mendor, përfshirë ato të menaxhimit të çështjeve, avokimit, administratimit dhe shërimit. Funksionet kryesore të një psikologu, punonjësi social ose psikiatri janë promovimi, parandalimi, trajtimi dhe rehabilitimi.

Psikologët dhe punonjësit social gjithashtu mund të praktikojnë edhe forma ose qasje të tilla si:

Këshillimi dhe psikoterapia

Menaxhimi i çështjeve dhe shërbimet mbështetëse

-Ndërhyrja në krizë

-Psikoedukimi

-Rehabilitimi dhe shërimi psikiatrik

-Koordinimi dhe monitorimi i kujdesit

-Menaxhimi / administrimi i programit

-Programi, politika dhe zhvillimi i burimeve

-Hulumtimi dhe vlerësimi

/ KultPlus.com

Të ngjajshme