21 Shtator, 2023 - 6:00 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkiva ka bërë publike disa fotografi të manastirit të Pojanit, të shkrepura më 21 shtator 1940.
I gjendur mbi rrënojat e Apollonisë, manastiri i Pojanit përbën një simbol të vazhdimit kulturor dhe historik. Daton prej shekullit të XIII, i përket stilit bizantin dhe është konceptuar si një grup arkitektural, duke përmbajtur dekorime me piktura murale dhe një kishë me një hapësirë të brendshme të pazakontë. Ndërhyrja e fundit në konakët e manastirit është bërë rreth viteve 1916-1918 nga misionet luftarake austro-italiane.
Ndërsa, afro 30 vjet më parë, ambientet e manastirit u shndërruan në muzeum për të ruajtur statujat që i përkisnin periudhave iliro-helenike dhe romake.
Kështu manastiri i Pojanit nisi të merrte peshën e një qendre të pasur artistike dhe kulturore. Bashkëngjitur fotografive, DPA sjell korrespondencën mes Kryesisë së Kishës Ortodokse me Zëvëndësinë Episkopale të Fierit, lidhur me ruajtjen e disa pikturave me vlera arkeologjike në Manastirin e Pojanit. Po ashtu, fotografi të manastirit të Pojanit, të gjetura në fondin e arkeologut francez, Leon Rey./atsh/KultPlus.com