7 Mars, 2021 - 10:55 am
Sot janë bërë plot 134 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, ditë që përmbushi aspiratat e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare, shkruan KultPlus.
Data 7 mars 1887 shënon ditën kur në Korçë u krijua shkolla e parë zyrtare shqipe. Shkolla ishte në qendër të qytetit dhe mblodhi shumë studentë, djem dhe vajza. KultPlus ju sjellë një fotografi nga nxënësit dhe mësimdhënësit e asaj kohë që shijuan ditët e para të mësimit në këtë shkollë.
Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Janko Minxha, Nuçi Naçi, Thanas Nona, Hafiz Ali Korça, Kristaq Vaja dhe Nikollaq Zografi.
Mësuesi dhe drejtoru i parë i saj – Pandeli Sotiri, e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës.
Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta.
Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. / KultPlus.com