24 Shkurt, 2025 - 1:06 pm
Në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), u zhvillua promovimi i katalogut fotografik “Fotografia që prek indet e qytetit”, një projekt artistik i fotografit të ri durrsak, Griseld Hoxha.
Ky katalog sjell një koleksion fotografish bardhezi të zhanrit street photography (fotografi në rrugë) dhe urban photography (fotografi urbane), të shoqëruara me storytelling (narracion), duke krijuar një kombinim unik mes imazhit dhe rrëfimit.
Në panelin e diskutimit morën pjesë emra të njohur të artit dhe medias si: profesori i Universitetit të Arteve (UART), Ardian Isufi, njëherazi kurator dhe kritik arti; fotografi i njohur Roland Tasho; dhe redaktorja e katalogut, shkrimtarja dhe gazetarja Arjola Kondakçiu.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, fotografi Griseld Hoxha u shpreh se kjo ekspozitë grumbulloi punën e 5 viteve, nga jeta e përditshme në qytet, jo vetëm në Durrës dhe më gjerë, në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ekspozita ka momente të fotografuara gjatë pandemisë, tërmetit që goditi qytetin e Durrësit. “Janë foto të ndjera dhe fotot e stilit urban dhe bardhezi”, shtoi fotografi.
Hoxha u shpreh se ky është një album me foto të veçanta që në Shqipëri nuk janë të shumta, janë në zhdukje si temë.
“Jashtë vendit dhe në Kosovë ka fotografë që aplikojnë këtë lloj fotografie, këtë lloj zhanri. Unë vendosa që të sjell diçka ndryshe, këtë lloj stili të fotografisë, por përveç kësaj të shoqëruar me storytelling, domethënë me histori se çfarë fotot e përditshme na tregojnë, atë aktualitetin, hallet e përditshme, problemet e përditshme, ku në katalog nuk përfshihen vetëm 2-3 kategori, por të gjithë llojet e njerëzve, nga qytetarët e varfër deri tek pushtetarët”, tha Hoxha për ATSH.
Një risi në fotografinë shqiptare
Gjatë fjalës së saj, redaktorja Arjola Kondakçiu theksoi se ky është katalogu i parë i këtij formati në Shqipëri, ku fotografia bardhezi kombinohet me storytelling. Ajo vlerësoi aftësinë e fotografit për të kapur çastet që përcjellin mesazhe të fuqishme dhe për t’i shoqëruar ato me rrëfime që i japin edhe më shumë kuptim imazhit.
Fotografi Roland Tasho ndau përshtypjet e tij për punën e Griseld Hoxhës, duke theksuar se që në shikimin e parë të katalogut, kuptoi se bëhej fjalë për një projekt profesional dhe të veçantë. Ai vlerësoi ndjeshmërinë dhe qasjen artistike të autorit në kapjen e momenteve autentike të jetës urbane.
Ndërsa profesori Ardian Isufi nënvizoi se fotografitë e Hoxhës nuk janë thjesht imazhe, por mbartin mesazhe të rëndësishme për komunitetin, me secilën foto që trajton një tematikë specifike. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e studimit të historisë së fotografisë, duke nisur nga pionierët shqiptarë e deri te teknikat e avancuara të ditëve të sotme.
Fotografia si pasion dhe mision
Diskutimi mes të ftuarve, gazetarëve, arkeologëve dhe artdashësve solli një reflektim mbi sfidat e fotografisë në Shqipëri, duke trajtuar kalimin nga pasioni në profesion dhe rolin e saj në transmetimin e realitetit shoqëror. Të pranishmit ndanë mendimet e tyre për katalogun dhe punën e fotografit, duke lexuar gjithashtu disa nga rrëfimet e përfshira në storytelling.
Në përmbyllje, Griseld Hoxha ndau vizionin e tij mbi fotografinë, duke e cilësuar atë jo thjesht si një profesion, por si një mjet për të përcjellë mesazhe sociale dhe artistike. Ai ftoi të rinjtë të ndjekin pasionin për fotografinë, duke e parë atë fillimisht si një mision dhe më pas si një mundësi profesionale.
Fotografi Grisel Hoxha ka lindur në Durrës, në vitin 2000. Është diplomuar për degën Informatikë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, por drejtimin e karrierës së tij e fokusoi te pasioni për fotografinë, i cili tashmë është kthyer në profesion për të.
Edhe pse shumë i ri në moshë, ai ka marrë pjesë në dy ekspozita:
Ajo kolektive me temë “Jeta urbane në Durrës” (2022), dhe ekspozita personale hapur në Milano- Itali (tetor 2023).
Griseld Hoxha ka qenë aktiv nëpër aktivitete, dhe falë mprehtësisë artistike të syrit, fotografi të tij janë vlerësuar me çmime në konkurse me tematika të ndryshme, si:
Çmimi “Fotoja më e mirë”, gjatë periudhës së karantinës.
Çmimi i tretë në konkursin ” Fotografia për muajin e Ramazanit”, viti 2020.
Çmim të tretë në konkursin “Tirana Foto Festival”.
Çmim të parë në konkursin e organizuar nga “Travel Fest Albania” (2023).
Ky album me foto bardhezi është preferencë e tij, shoqëruar me story telling. si një risi për evolimin e artit të fotografisë në Shqipëri./atsh/KultPlus.com