19 Mars, 2024 - 11:29 am
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër sjell në vëmendje një foto të shkrepur 110 vjet më parë nga mjeshtri Kel Marubi. Fotoja e 19 marsit të vitit 1914 tregon qindra shqiptarë të ardhur nga të gjitha krahinat e Shkodrës në oborrin e tretë të kalasë Rozafa, me rastin e ngritjes ceremoniale të flamurit.
Ceremonia u përshëndet atë kohë nga vetë kryetari i bashkisë Shkodër, Muharrem Gjylbegu, i cili bashkë me At Vinçenc Prennushin, një vit më parë e kishin ngritur flamurin në ballkonin e bashkisë, ditën e 28 nëntorit 1913.
Kjo ceremoni u shoqërua me 101 të shtëna topi të vendosur në kodrat e Tepes për të kremtuar sërish aktin simbolik të fitimit të Pavarësisë.
Asokohe veriu i vendit dhe vet Shkodra ishte ende nën presionin e ushtrive serbo-malazeze dhe ky kremtim masiv ishte momenti që më tepër se një ëndërr të bërë realitet, tentonte të rriste ndërgjegjen kombëtare për vështirësinë e ruajtjes së lirisë së fituar./ atsh / KultPlus.com