Franca arreston italianët e dënuar për terrorizëm para 50-vjetësh

28 Prill, 2021 - 3:53 pm


Shtatë italianë luftëtarë guerilë të ekstremit të majtë, e që ishin fshehur në Francë për disa dekada pasi i kishin ikur dënimeve për terrorizëm në Itali, janë arrestuar.

Autoritetet në Francë janë duke kërkuar edhe për tre italianë të dënuar për terrorizëm që lidhej me bombardime e vrasje në periudhat mes të ’60-ave dhe ’80-ave.

Qeveria e Italisë ka kërkuar nga Franca qe disa vjet arrestimin dhe ekstradimin e tyre. Në mediat italiane ata ishin identifikuar si Marina Petrella, Giovanni Alimonti, Enzo Calvitti, Roberta Cappelli, Sergio Tornaghi, Giorgio Pietrostefani dhe Narciso Manenti.

Tre burrat që kanë arritur t’i ikin arrestimit janë Luigi Bergamin, Maurizio Di Marzio dhe Raffaele Ventura.

Pesë nga ta ishin pjesë e “Brigadave të Kuqe”, që luftonin kundër militantëve të krahut të djathtë në një periudhë të trazirave, të njohur si “vitet e plumbit”. Qindra njerëz ishin vrarë atë kohë, përfshirë ish-kryeministrin Aldo Moro, që ishte kidnapuar dhe vrarë nga “Brigadat e Kuqe” më 1978.

Franca nën “doktrinën Mitterrand”, ua kishte lejuar terroristëve të dënuar të qëndronin në shtet e të shmangnin ekstradimin në Itali për shkak të rrezikut të rinisjes së dhunës.

Arrestimet erdhën pas takimit të 8 prillit mes ministrave të Mbrojtjes së dy shteteve.

Cappelli dhe Petrella, të dy nga Roma, ishin dënuar me burgim të përjetshëm për përfshirjen në vrasjen e Enrico Cavaglit më 1980. Cappelli ishte dënuar edhe për vrasjen e rojës së sigurimit Michele Granato më 1979 dhe lëndimin e dy policëve.

Petrella ishte dënuar edhe për kidnapimin e një zyrtari të lartë që ishte mbajtur peng për 35 ditë më 1980.

Tornaghi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, ndërsa Calvitti e Alimonti me nga 11 dhe 18 vjet burgim për tentimvrasje.

Edhe Pietrostefani dhe Manenti ishin dënuar për vrasje. / Koha.net / KultPlus.com

Në foto: Roberta Cappelli, Marina Petrella dhe Giorgio Pietrostefani

Të ngjajshme