8 Prill, 2021 - 12:16 pm
Senati i Francës të mërkurën e miratoi amandamentimin e një ligji për ndalimin e praktikave fetare për luftimin e atij që është cilësuar si “separatizëm islamik”, duke e shtuar edhe ndalimin e kryerjes së lutjeve në korridoret e objekteve universitare.
Gjatë diskutimit rreth këtij projektligji, republikanët e qendrës së djathtë e propozuan këtë ndryshim për ndalimin e kryerjes së lutjeve në korridore si dhe aktiviteteve tjera fetare që mund t’i pengojnë aktivitetet arsimore.
Ndonëse ndaj këtij propozimi patën ankesa senatorët e Partisë së Majtë dhe ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer, ndryshimet u miratuan me votat e senatorëve djathtistë, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
Më 16 shkurt të këtij viti, Asambleja Kombëtare e Francës, që është dhoma e ulët e kuvendit, e miratoi këtë projektligj.
Projektligji është propozuar vitin e kaluar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për ta luftuar atë që e ka quajtur “separatizëm islamik”.
Sipas këtij projektligji, autoritetet do të kenë të drejtë që të ndërhyjnë në xhami dhe në shoqata që janë përgjegjëse për administrimin e tyre si dhe për t’i kontrolluar financat e shoqatave dhe organizatave joqeveritare që u përkasin myslimanëve.
Me këtë projektligj kufizohen edhe mundësitë e shkollimit për komunitetin mysliman, sepse u ndalohet familjeve që fëmijët t’i shkollojnë vetëm nga shtëpia. / KultPlus.com