10 Dhjetor, 2020 - 9:59 am
Kabineti qeveritar i Francës e ka miratuar një projektligj me të cilin synohet luftimi i radikalizmit islamik pas një vargu sulmesh nga ekstremistët. Në projektligjin e ri planifikohet edhe ndëshkimi dhe tërheqja e lejes së punës për mjekët që kryejnë teste të virgjërisë.
Projektligji është pjesë e një nisme afatgjatë të Presidentit Makron për mbrojtjen e vlerave sekulare dhe i ashpërson rregullat për edukimin shtëpiak dhe gjuhën e urrejtjes, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Disa kritikë, brenda Francës dhe jashtë saj, e kanë akuzuar qeverinë franceze se po e përdorin këtë projektligj për ta vënë në shënjestër religjionin.
Megjithatë, Kryeministri Jean Castez e quajti atë “ligj të mbrojtjes”, i cili do t’i lirojë myslimanët nga mbërthimi i radikalëve.
Ai këmbënguli që teksti i projektligjit nuk është kundër religjioneve apo kundër religjionit islam në veçanti.
Me këtë projektligj do të ashpërsohen kufizimet rreth gjuhës së urrejtjes në internet dhe do të ndalohet përdorimi i internetit për zbulimin e të dhënave personale për të tjerët.
Ky po vlerësohet si reagim për vrasjen e mësuesit Samuel Paty në tetor. Mësuesi 47 vjeç u vra nga një sulmues pasi shfaqi para nxënësve karikatura të Profetit Muhamed.
Pas hetimeve u zbulua se kundër mësuesit ishte zhvilluar një fushatë në internet, transmeton Gazeta Express.
Me këtë projektligj ndalohen edhe të ashtuquajturat “shkolla klandestine”, të cilat e promovojnë ideologjinë islame dhe ashpërsohen rregullat për shkollimin shtëpiak.
Projektligji i ri ua ndalon lejen e banimit atyre që dëshirojnë të jetojnë në Francë e që janë në raporte poligamie. Për më tepër, mjekët mund të ndëshkohen ose të përjashtohen nga puna për kryerjen e testit të virgjërisë te vajzat. / KultPlus.com