3 Dhjetor, 2019 - 10:15 pm
Në përputhje me pritjet, “Frozen 2” i ka tërhequr shikuesit nga mbarë bota dhe pothuajse me siguri do t’i tejkalojë të ardhurat prej 1 miliardë dollarësh.
Në Shtetet e Bashkuara, fundjava e kaluar u shënua në shenjë të festës së Ditës së Falënderimeve, kështu që brenda 5 ditëve, filmi i animuar i fitoi madje 123 milionë dollarë, shkruan KOHA Ditore. Me këtë shifër, ai e tejkaloi rekordin e mëparshëm të arritur gjatë këtyre ditëve festive që e mbante The Hunger Games: Catching Fire kur në vitin 2013 kishte fituar 109 milionë dollarë brenda pesë ditësh (ky film filloi të shfaqej një javë para Ditës së Falënderimeve ashtu si Frozen 2).
“Frozen 2” kështu për dy fundjava në kinema i fitoi pothuajse 300 milionë dollarë vetëm në Amerikën e Veriut (më saktësisht, rreth 287 milionë dollarë), ndërsa në pjesën tjetër të botës i mblodhi edhe 164 milionë dollarë vetëm fundjavën e kaluar. Në pjesën tjetër të botës, filmi i ka fituar gjithsej 451 milionë dollarë për dy javë, gjë që barazohet me 738 milionë dollarë në të gjithë botën së bashku me tregun amerikan! Sipas të gjitha gjasave, ky do të jetë filmi i gjashtë i Disney këtë vit që arrin 1 miliard dollarë fitime në kinema.
Në vazhdimin e ri Elsa, Anna, Kristoff, Sven dhe Olaf nisen në një aventurë të re, edhe më të rrezikshme, në të cilën duhet ta zbulojnë prejardhjen e fuqive të Elsas, të cilat janë të vetmet që mund ta shpëtojnë Arendellin. /KultPlus.com