Fundi tragjik i ish-kryeministrit Koço Kota: Në Burrel e godisnin me bajonetë, plagët ia mbushnin krip, e lanë të vdiste nga etja

8 Qershor, 2022 - 5:15 pm

I zhdukur: Koço Kota (Kostaq Kotta). Vuajtës: Familjarët dhe të afërmit e tij. Koço Kota, pjesëtar në qeverinë e Ismail Qemalit, me detyrën kryesekretar në Ministrinë e Arsimit, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Më 1928 u zgjodh kryeministër i shtetit shqiptar në kohën e Mbretërisë dhe ishte kryeministri i fundit para pushtimit fashist. Gjatë Luftës së Dytë Botërore qëndroi në ilegalitet në Çamëri, ku organizoi lëvizjen shqiptare çame kundër sulmit të Italisë ndaj Greqisë, në bashkëpunim me lëvizjen antifashiste greke.

Më 1 janar të vitit 1945 Sigurimi i Shtetit organizoi rrëmbimin e tij me një furgon në Selanik, ku e burgosën dhe e dënuan me vdekje, që më pas e kthyen në burgim të përjetshëm, me 30 vjet burg.  U burgos në burgun e Burrelit, qelia nr. 7, ku iu nënshtrua torturave çnjerëzore. Xhelatët ia shponin mishin me bajonetë dhe pastaj i vendosnin kripë në plagët e krijuara. Ditët e fundit të jetës nuk i dhanë asnjë pikë ujë dhe e lanë të vdiste i zhuritur nga etja. I transformuar në një kufomë të gjallë me plagë të qelbëzuara, vdiq më 1 shtator 1947. Eshtrat nuk dihen ende se ku janë. Kishte dy fëmijë: një vajzë dhe një djalë.

Nuçi Kota, i biri i Koço Kotës, kishte kryer studimet në Universitetin e Sorbonës në Francë, ku mbrojti dhe një studim shkencor me temë për kufijtë shqiptaro-grekë, punim që u shfrytëzua më vonë nga vetë komunistët. Në Lëvizjen e Rezistencës Antifashiste 1939-1944, mori pjesë përmes organizatës së Lëvizjes së Legalitetit. Vdiq në vitin 1965 në ShBA, nga një infarkt në moshën 46-vjeçare.

Jorgji Kota, kushëri i Koço Kotës dhe aktivist i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, u dënua me shtatë vjet burg për qëndrime kundër Partisë Komuniste, por me ndërhyrjen e Haxhi Lleshit, iu reduktua dënimi dhe kreu vetëm 14 muaj në burgun e Tiranës e të Durrësit. Vdiq në vitin 1975.

Më poshtë rrëfen Harallamb Kota, kushëri i Koço Kotës

Ju falënderojmë që keni pranuar të jepni këtë intervistë pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me figurën e z. Koço Kota. Fillimisht, le të flasim rreth jetës dhe aktivitetit të tij.

Faleminderit që më keni ftuar. Jam shumë i ndjeshëm në lidhje me gjithçka që i përket historisë së personalitetit të shquar të kombit shqiptar, zotit Kostaq Kota ose Koço Kota, siç dëshironte ai ta thërrisnin shkurt, një histori që më ka tërhequr, më ka bërë krenar, por edhe më ka pikëlluar me fundin e tij tragjik, një histori që më ka nxitur të angazhohem për të nxjerrë në pah figurën e tij historike dhe gjithashtu, të shpreh indinjatën time të thellë për fundin e tij tragjik.

Koço Kota lindi në Korçë më 5 maj 1886, në një familje patriotike shqiptare që kishte kontribuar me breza për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si në Shqipëri, në Korçë, edhe në trojet shqiptare që sot quhen Kosovë, por edhe në Aleksandri të Egjiptit, ku patën mbështetje thelbësore nga trashëgimtarët e dinastisë shqiptare të Muhamet Aliut.

Mësoi fillimisht në Mësonjëtoren e parë shqipe në Korçë, vijoi arsimin në Manastir dhe arsimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Arsimin e lartë e kreu në Athinë, ku studioi në Shkencat Juridike të së Drejtës Ndërkombëtare, por dhe në Shkencat e Administrimit të Shtetit dhe Administrimit Publik.

Më 1908, në kohën e Revolucionit Xhonturk, bashkë me studentë të tjerë shqiptarë janë takuar me Ismail Qemalin, prej të cilit morën porosi që të përgatiteshin edhe për mësues, sepse Shqipëria do të kishte shumë nevojë për hapjen e shkollave shqipe, mbas pavarësisë nga Perandoria Osmane. Për këtë arsye, ai kreu një kurs të shpejtuar për mësuesinë.

Pasi mbaroi studimet në universitet në Athinë, iu ofruan mundësi të mëdha për t’u punësuar në administratën e lartë greke në Athinë, por ai nuk pranoi. Dëshironte të kthehej në qytetin e lindjes, në Korçë, për të mësuar fëmijët shqiptarë. Kur Ismail Qemali u kthye nga Stambolli në Vlorë, për të organizuar kryengritjen e vitit 1911, erdhi në Vlorë dhe filloi punë si mësues në shkollën e mesme “Muradie” të Vlorës.

Për mungesë organizimi, kryengritja dështoi dhe Koçoja emigroi në ShBA. Shqiptarët korçarë të Amerikës e zgjodhën kryetar të Shoqërisë Patriotike Mëmëdhetare për Lidhjen. Bashkë me patriotë të tjerë, si Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, krijuan Federatën Pan-shqiptare “Vatra” dhe është ndër shtatë firmëtarët e kartës së anëtarësimit të kësaj shoqate në ShBA..

Koço Kota, me iniciativën e vet erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Disa mosmarrëveshje të Konicës me Ismail Qemalin, nuk lejuan që ai të vinte si përfaqësues zyrtar i “Vatrës”. Në qeverinë e Ismail Qemalit, u zgjodh kryesekretar i Ministrisë së Arsimit, që drejtohej nga Luigj Gurakuqi.

Më 1914, kur Princ Vidi erdhi në Shqipëri pas atyre ngjarjeve të turbullta që ndodhën midis 1912-1914, Koço Kota, bashkë me Fan Nolin në Durrës dhe me Sotir Pecin, e me shumë të tjerë, punuan për krijimin e organizatës së parë politike në Shqipëri, “Krahu Kombëtar”, organizatë që mbështeti Vidin dhe gjithë lëvizjet patriotike në Shqipëri.

Me largimin e Vidit, organizata u transferua në Shkodër, ku mbështeti lëvizjen kombëtare për t’u mbrojtur nga pushtimi malazez dhe serb. Kur ushtria serbe hyri në Shkodër, atë e arrestuan dhe e internuan në Cetinjë të Malit të Zi. Fatmirësisht, mbërriti ushtria austro-hungareze dhe atë e liruan nga burgu i Cetinjës. Prej andej, u largua drejt Italisë.

Pasi u kthye nga Italia, Koço ishte një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, më 1920, ku e zgjodhën senator dhe ishte ndër personalitetet që kontribuoi në të gjitha komisionet që ngriti Kongresi i Lushnjës, si Komisioni për Arsimin, Kulturën, Shëndetësinë, Ekonominë etj., me aftësitë që kishte si rezultat i një shkollimi të lartë shumë të plotë.

Në vitet 1920-1939 ka qenë zgjedhur gjithmonë deputet i Korçës. Në vitet 1921-1923 ishte prefekt i Korçës dhe më pas prefekt i Beratit. Në periudhën prej vitit 1923 deri në 1928, është zgjedhur në të gjitha qeveritë si ministër i Punëve Botore, i Shëndetësisë, i Ekonomisë, ku ka mbuluar nga 3-4 dikastere, me përjashtim të periudhës së Kryengritjes së Qershorit të Fan Nolit, kur u largua dhe u rikthye në dhjetor 1924.

Më 1928, Koço Kota u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, ndërsa shteti mori formën politike Mbretëria e Zogut I. Në vitet 1928 deri më 1939, është zgjedhur edhe kryeparlamentar e përsëri, në vitet 1937-1939, ka qenë kryeministri i fundit i shtetit shqiptar para pushtimit të Italisë fashiste.

Qeveria shqiptare, e drejtuar nga Koço Kota në vitet 1937 deri në 1939, në raport me shtetin Italian, synonte një marrëdhënie tepër miqësore dhe, marrëveshjet e lidhura nga Mbreti Zogu I me qeverinë italiane, kanë pasur si qëllim që Shqipëria, në atë situatë të vështirë me shtetet fqinje që synonin ta copëtonin, të kishte një mbrojtje të fortë.

Ndërkohë, emigrantët shqiptarë kishin formuar një bashkim antizogist dhe kërkonin largimin e Zogut e rrëzimin e Mbretërisë. Por, Koço Kota donte të mbante një linjë patriotike atdhetare dhe shfrytëzoi rastin që shkoi për t’u kuruar në spital në Paris, për të biseduar 3-4 herë me përfaqësues të tyre.

Takimi i fundit ishte para pushtimit italian, kur ai u dha mesazhin e Mbretit Zog që, nëse binin në marrëveshje për qëndresë të përbashkët kundër pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste, atëherë Mbreti Zog do të abdikonte. Marrëveshja nuk u arrit, sepse grupet antizogiste e akuzonin Zogun për ngritjen në pushtet nëpërmjet bajonetave serbe të Pashiqit.

Nga ana tjetër, dokumentet tregojnë se edhe vetë këta emigrantë dhe shoqatat e tyre për t’u mbajtur gjallë kishin marrë ndihma nga Komiterni, nga Bashkimi Sovjetik e më gjerë. Dua të them edhe këtë gjë që, në prag të pushtimit, qeveria e Koço Kotës i ka kundërshtuar të gjitha ultimatumet e dërguara nga Musolini e nga Duçja. Kjo ka qenë arsyeja që në ditën e 7 prillit 1939, ushtria shqiptare bëri një rezistencë pasive, më shumë me Xhandarmërinë, kurse Oborri Mbretëror u detyrua të largohej.

U bë rezistencë në Luginën e Drinit, por kjo u kundërshtua nga jugosllavët, të cilët urdhëruan: “Mos u afroni, se do t’ju godasim”! Në këto kushte, u zgjodh mundësia për të kapërcyer Kërrabën drejt Qafë Thanës, në Pogradec. Andej iu kërkua ndihmë shtetit grek për armatime, por shteti grek nuk pranoi dhe dërgoi ultimatum që do të lejonte kalimin për t’u larguar vetëm brenda 48 orëve, pastaj do të mbyllte doganën.

Musolini i dënoi me vdekje, jo vetëm Mbretin Zog, por edhe kryeministrin Koço Kota, si edhe me sekuestrim të pasurisë. Kur kaluan Kapshticën dhe u hodhën në Greqi, Koço Kota nuk vazhdoi më tej me Mbretin, por Mbreti e njohu si kryeministër deri në dhjetor 1939. Pasi u nda nga mbreti, Koço Kota qëndroi në Greqi, në Çamëri, në ilegalitet të plotë, sepse siç thashë, që Duçja e kishte dënuar me vdekje.

Sipas disa dokumenteve të pakta që mezi i kam gjetur, kam parë se silogjet greke i kishin bërë presion djalit të Koço Kotës, kur ai mbrojti punimin shkencor në Sorbonë për kufijtë, në interes të shtetit shqiptar. Në Greqi, Koço Kota është marrë me organizimin e Rezistencës Antifashiste, duke organizuar grupe të armatosura të luftëtarëve shqiptarë çamë, ortodoksë dhe myslimanë, për të përballuar sulmin italian kundër Greqisë.

Këto grupime vendosën lidhje edhe me Lëvizjen Antifashiste që vepronte brenda territorit shqiptar, më pas edhe me Ushtrinë Çame që u themelua pak më vonë. Pas mbarimit të Luftës, Koçoja u kthye në Selanik, në shtëpinë e vjehrrit të tij, babai i gruas së dytë, Vasilika Dallamangës, e cila më pas u internua nga komunistët në Savër në Lushnjës. Besoj se edhe për të duhet të ketë ndonjë dosje patjetër.

Të afërmit e tij, ndër të cilët edhe babai im, Jorgji Kota, e njoftonin për atë që po ndodhte në Shqipëri dhe për situatën e rrezikshme që, po të kthehej, ai do të arrestohej e do të burgosej. Koçoja përgatiti të gjitha dokumentet në ambasadën amerikane për të shkuar në ShBA. Më 1 janar 1945, kur sapo kishin mbaruar festimet e Vitit të Ri, më 31 dhjetor, në derën e shtëpisë së vjehrrit të tij i vijnë tre veta që i thonë se Koço Kota duhet të shkonte me ta, pasi Shqipëria kishte nevojë për të.

Ata i thonë se ishin me porosi të Enver Hoxhës, i cili kërkonte prej tij që të kontribuonte për shtetin e ri shqiptar. Koçoja e dinte shumë mirë se kishte marrë informacion çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe u përgjigjet që nuk do të shkonte me ta. Pas kësaj, nxorën pistoletat për ta detyruar të shkonte me ta. Kur Koçoja i kundërshtoi dhe familjarët e tij atje ndërhynë, ata e morën me forcë, duke e tërhequr zvarrë në një fugon që ishte afruar, e futën brenda dhe u nisën menjëherë.

Mendojmë se këta kanë qenë të mbështetur nga komunistët grekë, sepse, pasi mbaroi lufta, s’ia kishin më nevojën dhe e quajtën njeri të djegur. Ata e çuan drejt e në Tiranë. Sipas informatave që kemi ne, një ndër më aktivët për ta rrëmbyer dhe për ta dënuar Koço Kotën ishte Koçi Xoxe, njeriu më i fuqishëm i afërt me Enver Hoxhën dhe që kishte mbështetje të fuqishme nga sllavët. Ky aksion bëhej, e para, për të zhdukur ish-kryeministrin e fundit të Mbretit Zog dhe, e dyta, Koço Kota kishte shprehur që herët rrezikun sllavo-komunist

Është folur shumë që i gjithë aksioni ishte mbështetur edhe nga struktura të agjenturave serbe. Nuk e di se sa mund të jetë i bazuar, por këto fjalë kanë qarkulluar dhe, nga një aspekt, kjo është e besueshme, sepse një personalitet si ish-kryeministri i Shqipërisë, i para pushtimit italian, po të ishte gjallë, do të vazhdonte aktivitetin e tij antisllav-komunist dhe do të ishte pengesë e madhe e miqësisë së re të shpallur të shtetit komunist shqiptar me shtetin komunist serb.

Ai u rrëmbye nga Koçi Xoxe, njeriu i besuar i sllavëve, që ishte deklaruar vetë me gojën e tij se ishte me origjinë bullgare. Ky njeri, që vepronte me Grupin Komunist të Korçës, ishte futur aty për këtë qëllim, pikërisht për të sjellë ndikimin sllav në Shqipëri, nën petkun e komunizmit. Kështu që për mendimin tim, këto janë shumë të lidhura. Në shumë vende ku më është dhënë mundësia të shprehem, kam kërkuar që të rishikohet mënyra se si është trajtuar figura e Koço Kotës.

Janë dy elemente që e nderojnë Koço Kotën në kohën e Luftës së Dytë Botërore, përveç aktivitetit brilant patriotik në të kaluarën: Së pari, në Greqi, ai u mor me ngritjen e grupeve të rezistencës kundër pushtimit italian të Greqisë. Ky fakt është krejt e kundërta e asaj që propagandohet, se gjoja Shqipëria ka sulmuar Greqinë.

Së dyti, është njeriu më i fuqishëm në luftën kundër sllavo-komunizmit dhe mbrojtësi më i flaktë i Kishës Fanoliste. Kur ai ishte kryeministër, u arrit të merrej leje nga Patriarkana për të njohur Autoqefalinë e Kishës Shqiptare. Për këto arsye, ai u kërkua edhe atje ku ishte, jashtë vendit dhe e eliminuan.

Çfarë ndikimi pati ai në çështjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse?

Kur u bë Kongresi i Autoqefalisë së Kishës Shqiptare në Berat, Koço Kota ishte prefekt. Durrësi nuk e pranoi mbledhjen, Korça gjithashtu, se kishte influencë greke. Ishte ky prefekt që e përkrahu dhe e mbështeti çështjen e Autoqefalisë, prandaj Kongresi u organizua në Berat.

Për sa u takon akuzave që ngritën komunistët dhe mënyrës si ata e trajtuan, këto duhet të jenë në dosjen e tij. Prokurori kërkoi dënimin me vdekje, por gjykata e la burgim të përjetshëm me 30 vjet burg, të cilin e kreu në burgun e Burrelit.

Prokuror i çështjes së tij ka qenë Bedri Spahiu, kurse në trupin gjykues kanë qenë tre veta. Koçi Xoxe në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës Speciale.

Të them që ka mbajtur qëndrim burrëror aty, në gjykatë, është pak, se ai ishte burrë i patundur, i palëkundur, shumë i vendosur, shumë trim. Është interesant: kur njeriu nuk ka bërë asgjë kundër vendit të vet, kur ka punuar për vendin e vet, nuk ka frikë të përballojë gjithçka. Kështu ai përballoi gjithçka, duke hedhur poshtë akuzat qesharake që iu bënë, të llojit: “Pse qeveria e Koço Kotës e Mbretit Zog, nuk u mbrojt dhe nuk luftoi kundër ushtrisë italiane”?!

Koço Kota i dha argumentet. Ai sqaroi kushtet para pushtimit. Qeveria e tij e kundërshtoi ultimatumin e Italisë për të pushtuar Shqipërinë, por problemi ishte që Ushtria Shqiptare, sipas marrëveshjeve me Italinë, kontrollohej e gjitha nga instruktorët italianë.

Pavarësisht se sipas marrëveshjeve të fundit italianët do të sillnin armatime të rënda për t’u mbrojtur nga Jugosllavia dhe Greqia, ata e lanë me armatime të vjetra të papërdorshme. Italia fashiste e hëngri në besë Shqipërinë. Ne besën e kemi institucion, prandaj qeveria nuk mund ta mendonte se Italia do ta pushtonte Shqipërinë.

Kur trupat italiane po zbarkonin, reagoi vetëm Xhandarmëria, nuk ka qenë Ushtria: edhe në Vlorë, edhe në Sarandë ishin komandantët e Xhandarmërisë që kanë luftuar, ishte Abaz Kupi.

Po, Abaz Kupi ka bërë rezistencë të fuqishme. Faktikisht, kudo Xhandarmëria ka rezistuar fort, edhe në Durrës, edhe në Shëngjin. Ishte Xhandarmëria që formoi kordonin e mbrojtjes në të gjithë vijën bregdetare. Përveç asaj që thashë më parë, ishte edhe një element tjetër shumë i rëndësishëm që historianët nuk e thonë: nëse qeveria jonë do të fuste ushtrinë në luftë për të ndaluar zbarkimin italian, sa kohë që ne kishim disa marrëveshje ushtarake me Italinë, atëherë ata do ta shfrytëzonin atë veprim duke na paraqitur në arenën ndërkombëtare, sikur ne i kishim shpallur luftë Italisë. Shqipëria do të dilte si agresore dhe ata do të justifikonin pushtimin.

Prandaj, historianët tanë duhet t’i hapin letrat mirë, të shkojnë edhe në arkivat italianë, se duhet të ketë patjetër në Romë në arkivat e fashizmit dokumente që e sqarojnë më mirë këtë moment historie. Sot nuk mund të flasim njësoj siç është thënë deri tani … “të paktën Mbreti Zog, të ishte dorëzuar”!

Lidhur me këtë moment, ka dalë një e dhënë e re. Hysen Selmani – komandant i trupave të Ahmet Zogut, ka pohuar se Mbretit Zog, i kanë thënë anglezët: “Ik, lëshoje, se ne do të të kthejmë prapë” dhe ai e respektoi këtë urdhër të anglezëve dhe iku.

Më tej, pas dënimit, çfarë ndodhi me Koço Kotën në burgun e Burrelit?

Në burgun e Burrelit, atë e vendosën në një qeli të veçantë – qelia nr. 7. Atje, kush futej, nuk dilte më i gjallë, ishte e vendosur që ishte i vdekur. I kanë bërë tortura nga më çnjerëzoret.

Komandant i burgut ka qenë Petraq Rrëmbeci.

E godisnin me bajonetë dhe plagët e çara ia mbushnin me kripë. Përfundoi me vdekje më 1 shtator 1947. Ka qenë vërtet hero që i ka hequr gjithë ato tortura. As ujë për të pirë nuk i jepnin. Plagët iu qelbëzuan. E kthyen trupin e tij në një kufomë të gjallë. Këtë ka pësuar Koço Kota.

Çfarë ndodhi me trupin e tij? Dini gjë ku e kanë varrosur?

Përhapën fjalë sikur ai u hodh nga penxherja e burgut dhe u vra. Ato penxhere janë gjithë hekura. E kanë varrosur në oborrin e burgut, te një qershi. Kështu kanë thënë deri më sot, pranë një qershie. Ajo qershi nuk gjendet sot. Gjithashtu, thonë se tek ai vend janë varrosur shumë të tjerë dhe madje, disa i kanë zhvendosur edhe jashtë burgut. Thuhet se atje ku i kanë rivarrosur është ndërtuar stadiumi i Burrelit. Më shumë se kaq, nuk di.

Çfarë ndodhi me fëmijët e tij?

Koçoja kishte dy fëmijë. Djalit i kishte vënë emrin e gjyshit, pra, të babait të Koços, Nuçi Kota. Nuçi mbaroi studimet e larta në Sorbonë të Francës, ku mbrojti një punim shkencor me titull: “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, punim ky që u shfrytëzua nga komunistët në vitin 1946, në konferencat ndërkombëtare për çështjet e paqes pas luftës, po emrin e tij nuk e thonë.

Nuçi u angazhua me Lëvizjen e Rezistencës Antifashiste në Tiranë, me Legalitetin. Kur u bë e qartë se pushtetin po e merrnin komunistët, atëherë, nëntorin e vitit 1944, ai u largua për në Evropë, në Francë.

Prej andej, u largua në Amerikë, ku së bashku me Mid’hat Frashërin, formuan Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe Nuçi Kota ishte anëtar i Komitetit. Nga një dokument i CIA-s që kam lexuar, amerikanët shprehen se pas vdekjes së Mid’hat Frashërit, Nuçi Kota është udhëheqësi i ardhshëm i Shqipërisë demokratike.

Ai kishte aktivitet të madh intelektual dhe politik. Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore për Shpëtimin nga Komunizmi për Kombet e Robëruara dhe anëtar i shumë shoqatave intelektuale.

Po fëmija tjetër?

Vajza? Edhe ajo në ShBA.

Si ishin fatet e jetëve të tyre?

Edhe pse në emigracion, pas rrëmbimit të Koços dhe vdekjes tragjike të tij ka pasur përndjekje të shfrenuar të Sigurimit të Shtetit ndaj tyre. Ata kanë pësuar shumë. Djali, Nuçi, la dy fëmijë, që të dy me trauma. Edhe e bija po ashtu. Edhe një djalë i së bijës vdiq, edhe ai me trauma.

Edhe dy kushërira të tyre, Leonora dhe Beatriçja, vajza të të vëllait Ilia, që kanë banuar deri vonë në Tiranë, pas ndërrimit të sistemit, kanë dhënë intervista për Koçon, çuditërisht, edhe ato vdiqën. Babai i tyre, Ilia, ishte jurist dhe me gjyshin tim, ishin si vëllezër.

I vetmi person që jetoi pak më gjatë se këta të tjerët ishte babai im, Jorgji Kota. Ai vdiq në moshën 75-vjeçare. Ne ishim tepër të trembur dhe tepër të rezervuar, por ai nuk rrinte dot pa u shprehur, sidomos pasi u rrëmbye Koçoja në janar 1945.

Jorgji kishte qenë aktivist me grupet e Rezistencës Antifashiste të Tiranës, me grupet e Frontit, kurse Nuçi me Legalitetin. Punonin të dy bashkë në shtëpinë e Jorgjit, ku mblidheshin pjesëtarë, edhe nga ‘Balli Kombëtar’, edhe nga grupe të tjera deri më 1943-in, kur midis këtyre grupimeve politike u fut konflikti.

Jorgji pati mundësi të merrte informacion për rrëmbimin e Koços më 1945. Pasi goditi Koço Kotën, Koçi Xoxe bëri plane që të godiste edhe Jorgjin, babanë tim. Iu vu pas me Sigurimin e Shtetit për ta provokuar, për të parë çfarë thoshte, çfarë kundërshtimesh kishte, dhe pastaj e arrestuan për qëndrime antiparti.

Kërkuan dënim me shtatë vjet, por me ndërhyrjen e Haxhi Lleshit, meqë kishte marrë pjesë në Rezistencën Antifashiste, ia ulën. Dënimin e kreu në burgun e Tiranës dhe në Durrës, për 14 muaj, por më pas, mori pafajësinë.

Dua të vë në dukje se pasi vdiq Koço Kota, vdiq edhe i biri, Nuçi, në vitin 1965, në moshën 46-vjeçare, gjoja nga një infarkt. Kjo është e dyshimtë. Si mund të vdiste ai, kur ishte në kulmin e fuqisë?! Unë i’a kam edhe fotografitë e aktiviteteve…! Në gazetat e asaj kohe shkruhej se vdiq nga infarkti!

Pas Koço Kotës ishte i biri, Nuçi Kota, ishte Jorgji Kota, që vuajti një dënim të padrejtë, ishte e bija, ishin nipërit, të gjithë këta pësuan përndjekje, trauma dhe tragjikisht janë ndarë të rinj nga jeta.

A dini gjë çfarë bëhet me pronat e tyre sot në Korçë?

Me ndryshimin e sistemeve, erdhi gruaja e Nuçit, e djalit të Koços, një franceze, por erdhi në vitin ’90-të dhe ne ishim të trembur, rrinim të frikësuar.

E justifikueshme, sepse Sigurimi i Shtetit ishte prapë në këmbë.

Takoi disa veta, një noter, se ç’i thanë, e lemerisën. Bëri letrat shpejt e shpejt dhe i shiti. Ne kemi pasur tri shtëpi në Korçë, mbi “Metropolin” – një ka qenë e babait të Koços, një e babait të gjyshit tim, një e vëllait tjetër. Siç ia bëri letrat noteri …! Ka pasur shtëpi në Tiranë, në “Bllok”, madje edhe Ministria e Arsimit ishte prona e Koço Kotës, e ka pasur hotel, por në kohën e miqësisë shqiptaro-italiane ia fali ministrit të Jashtëm të Italisë, Çianos.

Dua të shtoj diçka: rrugën që është tek Ambulanca Qendrore, drejt ‘Pazarit të Ri’, e ka ndërtuar vetë Koço Kota, prandaj i kam kërkuar shoqatës “Tirana” që t’i çojë propozimin Bashkisë së Tiranës, që rrugës t’i vihet emri “Koço Kota”./ KultPlus.com

Të ngjajshme