2 Qershor, 2022 - 8:30 pm
Përmes një komunikate nga Autostrada Biennale, është njoftuar për vazhdimin e projektit “Fushat e Lulediellit 2022” nga artistja Agnes Denes, shkruan KultPlus.
Jemi të lumtur t’ju njoftojmë për vazhdimin e projektit “Fushat e Lulediellit 2022” nga Agnes Denes, artiste pioniere feministe për çështjet ekologjike, projekt ky që ishte realizuar fillimisht në Prishtinë dhe Prizren për edicionin e 3-të të Autostrada Biennale.
Nga sot farat e lulediellit po mbillen sërish pranë hapesirës së Autostrada Hangar në ITP Prizren, së bashku me aktivistë mjedisorë, studentë dhe fëmijë që iu bashkuan ekipit tonë, duke u bërë kësisoj agjentë të rëndësishëm në këtë prodhim artistik dhe duke e përqafuar njërin prej objektivave tona: rolin jetik të artit brenda shoqërisë dhe ftesën drejtuar publikut që të bashkëkrijojnë dhe zotërojnë punë artistike.
Krahas bukurisë dhe energjisë pozitive, për artisten është me rëndësi edhe fakti se si farat e lulediellit e pasurojnë tokën sepse ‘e gjithë jeta varet nga kjo shtresë e hollë që e rrethon globin’. Nga studioja e saj në New York, artistja na dërgon nje porosi të përzemërt: “Kur gjërat rriten, lulëzojnë, dhe jeta po i shprehë transformimet dhe sekretet e saj. Shiko, dëgjo, merr pjesë. Të gjithë mund të jemi si luledielli, të rritemi, të ushqehemi, të pajisim të tjerët me pasurinë tonë, të kthehemi kah Dielli, e të reflektojmë për nxehtësinë e Diellit drejtuar të gjitha krijesave të gjalla”.
Kuratoret tona Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza theksojnë rëndësinë e vazhdimësisë kur bëhet fjalë për projekte artistike që dëshirojnë të ndryshojnë vizionin tonë për të jetuar së bashku. Prandaj, luledielli po mbillet sërish, këtë herë rreth Autostrada Hangar, në ish-zonen ushtarake te KFOR’it tani ITP, për të ri-theksuar rolin kryesor të artit në vendosjen e paqes. Hapësira e dytë e Fushat e Lulediellit 2022, ashtu si vitin e kaluar, do të jetë shulli i gjelbërt në lumin e Prizrenit.
Edicioni i 3-të dhe i 4-të i Autostrada Biennale kurohet nga Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza. Edicioni i 4-të do të zhvillohet në verën e vitit 2023.
Fushat e Lulediellit 2022 nga Agnes Denes prezantohet nga Autostrada Biennale në partneritet me ITP Prizren. /KultPlus.com