22 Prill, 2021 - 3:19 pm
Edicioni i tretë i Autostrada Biennale zyrtarisht po e fillon rrugëtimin e tij në Kosovë.
Agnes Denes, një grua e jashtëzakonshme dhe një artiste feministe ikonike nga New York, e ka konceptuar punën e saj të re në Prishtinë, titulluar “Fushat e Lulediellit 2021”. Prej sot ka nisur në kryeqytet mbjellja e farave të lulediellit në mënyrë që të rriten dhe të krijojnë një fushë mahnitëse luledielli, e cila do të jetë e gatshme për hapjen e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, në verën e këtij viti.
Do të duhet kohë që këto fara të lulëzojnë, ndërsa Prishtina kësisoj do të mbajë mbi supe një vepër arti që të lë pa frymë, pikërisht te Platoja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Luledielli është bimë e lumtur” tregon artistja Agnes Denes. “Për kinezët, luledielli simbolizon fatin e mirë ndërsa për popullin Incas në Amerikë, luledielli mbahet si Zoti i Diellit”. Krahas bukurisë dhe energjisë pozitive, për artisten është me rëndësi edhe fakti se si këto fara luledielli e pasurojnë tokën ku mbillen dhe vijnë ngadalë në jetë. Mbjellja e tyre kthen sytë kah vëmendje që duhet të tregojmë për tokën, sepse ‘e gjithë jeta varet nga kjo shtresë e hollë që e rrethon globin’. Nga studioja e saj në New York, artistja dërgon një mesazh të mbështetjes për Prishtinën. “Kur gjërat rriten, lulëzojnë, dhe jeta po i shprehë transformimet dhe sekretet e saj. Shiko, dëgjo, merr pjesë. Të gjithë mund të jemi si luledielli, të rritemi, të ushqehemi, të pajisim të tjerët me pasurinë tonë, të kthehemi kah Dielli, e të reflektojmë për nxehtësinë e Diellit drejtuar të gjitha krijesave të gjalla”.
Jo rastësisht, dita e parë e plantacionit dhe mbjelljes për “Fushat e Lulediellit 2021” përkon me Ditën e Tokës, në 22 prill, një datë që shënohet vit për vit që prej vitit 1970 dhe risjellë në vëmendje nevojën për ta ruajtur mjedisin ku jetojmë e marrim frymë. Aktivistë mjedisorë, studentë dhe fëmijë nga Prishtina u bashkuan me ekipin për të mbjellur farat e lulediellit, duke u bërë kësisoj agjentë të rëndësishëm në këtë prodhim artistik dhe duke përqafuar njërin prej objektivave të edicionit të sivjetmë: rolin jetik të artit brenda shoqërisë dhe ftesën drejtuar publikut që të bashkëkrijojnë dhe zotërojnë punët artistike.
“Në Manifestone saj të vitit 1969, Agnes Denes potencoi se dëshironte ta braktiste studion e saj të punës dhe të hynte në botën e shqetësimeve globale, ‘për të komunikuar të pakomunikueshmen, për të vizualizuar të padukshmen, për të mos pranuar kufizimet të cilat shoqëria i ka pranuar’. Përgjatë jetës e karrierës së saj, ajo ka imagjinuar dhe iniciuar eksperimente vizionare mjedisore të bashkëjetesës përmes artit. Ne jemi shumë të nderuar që një artiste me forcë të madhe artistike si Denes ka pranuar ftesën tonë modeste dhe ka propozuar një vepër të re artistike ku luledielli intervenon në jetën e përditshme në qendër të Prishtinës dhe Prizrenit – me fjalët e vetë artistes – një gjest ky që sheh kah realiteti por të lejon të ëndërrosh” – tregojnë kuratoret e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.
Puna e kompletuar do të prezantohet me 1 korrik 2021, kur edhe do të fillojë edicioni i tretë i Autostrada Biennale në Prishtinë. Fushat e Lulediellit 2021 nga Agnes Denes prezantohet në partneritet me Manifesta 14 Prishtina. / KultPlus.com