Fustani

5 Gusht, 2020 - 9:40 pm

Nga Nerimane Kamberi

“Nora, a është i bukur fustani për nusen?” – “Jo për nusen, për Norën!”, -“shejtan”, tha gjyshja e saj, -“ dreq,” mendova unë. Gjyshja, nana dhe bija ishin ndalur para fustanit që ma kishte veshur pronarja e butikut, dhe e admironin modelin, bezin, studionin qepjen, qëndisjen, gurët, rruazat, ngjyrën, “ma shumë si i bardh” , thoshte gruaja në moshë të mesme, “jo, ma shumë si ngjyrë tomli.” thoshte vajza e saj; preknin dantellën, lart, te gjoksi, numëronin pullat te mangët, më rrotullonin nga të gjitha anët. Vogëlushja me sytë e zi, ishte ngritur mbi gishtat e këmbëve, ma mbante dorën, dhe më tha: “Doni të vallëzoni, princeshë?” dhe filloj të këndoj. Dy gratë u larguan për të vazhduar vizitën e dyqanit dhe të mallit të ekspozuar por vajza mbeti duke e paramenduar vetën, dhe mua, në një ballo si në përrallat që sigurisht ia lexonte nëna e saj. Së paku ashtu e mendoj botën e njerëzve, se sa vite jam këtu, kam parë lloj lloj njeri, di nga cili fis vijnë, nga cila mëhallë, kuptohet kanë hyrë më shumë gra, por edhe burra, ata që martonin të birin, I biri vetë, sa lumturi kam parë, lumturi së vërteti, por edhe lumturi për ta bërë qejfin, sa nervozë, sa fukarallëk, në xhep, por edhe në mendje; ma mirë i njoh unë sesa e njohin vetën, ma mirë e di unë çka duan se sa ata vetë, ia njoh shijen, të kisha gojë, do t’i thosha se më mirë do t’i rrinte një fustan tjetër, do t’ia theksonte belin apo vithet, apo t’ia vinte tenin në pah.

Vajza përkëdheli fustanin me shumë butësi, gjithnjë duke më shikuar drejt në sy, nga vogëlsia e saj, thuajse e ndiente se isha ndryshe nga kukullat tjera, fëmijtë, thojnë, është shumë i mençur, dikton gjëra që të mëdhenjtë nuk i shohin kurrë. Ajo përnjëhere tërhoqi fundin e fustanin, u fut nën të, dhe nuk lëvizi më. Sikur mos t’ia ndihja frymën e nxehtë në këmbët e mia, kisha menduar se nuk merrte frymë më. Si kotele rrinte e strukur, e unë e ruaja.

Vitrina e dyqanit ka pamjen kah rruga kryesore, që vjen prej maleve, zbret në luginë dhe shkon deri te xhadja e vjetër, përtej udhës së frengit. Brenda kam parë histori familjare, që fillonin mirë dhe vazhdonin plot harmoni, ndër vite, por edhe që mbaronin keq; kam parë, nga kulla ime e vrojtimit, kolona krushqish, edhe kolona refugjatësh, kam parë flamur në krye të kerreve, dhe flamuj të shqyer, të shkelur, të pështyrë. Kam parë nuse që i printe dasmorëve, oh sa bukuri, për pak do të më pikon një lot; dhe, sa trishtim, po dridhem kur po e kujtoj, kam parë burrë, gra, dhe fëmijë, të cilëve i printe xhendarmeria, e cila edhe e mbyllte marshin e mjerimit. Jam kënaqur kur parakalonin maturantët, “qeshu rini, qeshu, bota është e jote!”, të reja të veshur me fustanet tonë e djemtë, disa hala axhami, që dukeshin si dhëndër.

Zonja e dyqanit bisedonte me myshterinjtë “e këto dimija, a po ju pëlqejnë? Këmisha është shumë e hollë, prej ma të mirave.” –“Dikur, ojat i bojshin me mënafsh, prej ma të mirit, e bonin krimat, i thojshim bubat, i ushjeshim me fletat e mondit, unë isha e vogël, më çojshin me i mbledh. Nuseve ia qepshin këmishat, e gratë e tjera, si motra më e madhe, ia vnojshin shamive, që i lidhshin anash, shtrëngueshëm, mbi kry, nga dilnin flokët me tallase tallase.”, gjyshja e vajzës së vogël ia shpjegonte grave të mbledhur aty. “Por ia nisen me pru penj prej Kinës, dhe i ra sëmuja krimave, edhe drunjve. Këto ojat e sodit nuk s’janë si ato, ama hiç kurrkund s’janë me ato.” Dhe u ndal, e emocionuar nga ato kujtime të së kaluarës. Bija e kuptoj, “çu, të kshyrim edhe pak, e të shkojmë. Po ku mbet çika?”

Nana ia njihte lojën bijës, u drejtua kah unë, e çoj fustanin dhe e gjet duke fjetur. Qeshi me zë, e kapi ngadalë bukuroshen e vogël në krah dhe u nis kah dera: “Vijmë vitin e ardhshëm kur e marrim nusen, faleminderit, ditën e mirë.”

Por vitin tjetër nuk erdhën, verës tjetër nuk pati dasma, edhe pse pronarja e dyqanit kishte shpresuar shumë se do t’i shiste fustanet e gjatë, edhe të bardhin e kishte larë me dashuri dhe ma kishte veshur. M’ua mu kthye pak krenaria e një kukulle të bukur që i mbante fustanet para se ta vishnin ato trupin e një zonjushe. Nuk pati dasma, sapo kishte përfunduar lufta, e dëgjova zonjën e shpisë një ditë që i fliste kunatës: “e ti ishe me fat, ishe jashtë, nuk e pa vdekjen me sy, refugjatet kalonin para derës tonë, policia na kish dhënë urdhër të mos e shtinim asnjë brenda, i zgjatshim ujë, bukë, tomël, çka kishim.” E kisha shpinën e kthyer por nga dridhja e zërit të saj, e kuptova që qante duke ia përshkruar asaj ato tre muaj dhimbje dhe vuajtje që kishte përjetuar tërë populli. Paqja ishte kthyer, njerëzit prapë buzëqeshnin, por duhej rindërtuar shtëpitë, katundet dhe qytetet. Por më së pari shpirtin. Shumë çifte ishin martuar gjatë luftës, pa dasmë, kishin ikur bashkë. E tash ndonjë mund ta bënte një drekë të thjeshtë, pa bujë, për ta kurorëzuar lidhjen e tyre me familje.

Pronarja plakej por vazhdonte të dilte në dyqan, e kishte marrë një punëtore, por i pëlqente të bëj muhabet me myshterinjtë, të kuptoj kush martohej, kush ishte mësiti, kush ndahej, pse ndahej, kush ishte ndërmjetësi për t’i pajtuar. Por më shumti kishte qejf të jep ndonjë këshillë, cili fustan, cila ngjyrë, me cilën lule të kombinohej, “a doni duvak të shkurtë apo të gjatë?”. Dhe çdo vit, e kishte bërë si ritual, ma hiqte fustanin dhe e lante, me shumë kujdes. Mbante të njëjtën aromë, trëndafili, i cili m’i merrte pak mendtë në fillim.

“Nora, a po të pëlqen ndonjë fustan?” ju drejtua një grua esmere vajzës së saj, e cila mbante xhinse të grisur dhe një bluzë xixa-xixa. “Po, ky, te vitrina, me këtë satenin e rëndë! » tha ajo me një zë të vendosur. Mu kujtua ai zë, i cili ishte pjekur tani, por çapkënllëku ishte po ai i para njëzet viteve. « Ky është demode. ». « Jo, vintage, tash kështu po i veshin, po kthehen modelet e vjetra. Ato të nanave apo edhe të gjysheve tona. Kështu pothuajse e kam mendu dhe vizatu.” Nana e saj ju afrua, gjyshja ishte ulur në një karrige: “Ky fustan qe njëzet vjet është aty, i veshur te ajo kukull!” Por gruaja e re nuk ia vuri mendjen, mu afrua edhe më shumë, e përkëdheli bezin, qeshi. Ee\ paramendoja të veshur me atë fustan, e kishte belin si timin, ajo do t’i jepte jetë. Më në fund. “Mirë, merre, e mbajsh me shnet.”

“A paske vendosur me u martu sivjet ? Dasmat nuk po mbahen për shkak të sëmundjes . » tha pronarja, duke ma hequr fustanin nga trupi, por duke mos e zgjatur llafin nga frika se do t’i binin pishman. Sapo kishim dalë nga një pranverë e rëndë, ku gjallëria e qytezës kishte humbur, e nga lart nuk shihja më fëmijët që shkonin në shkollë, asnjë plak apo plakë që kalonte rrugën. « Unë po e bëj një dasmë të vogël, jashtë, në bahçe. » ia ktheu gruaja e re duke qeshur.

Nga çardaku, i pash duke dal, bishti i fustanit dilte nga qesja e madhe, vërtetë i rrinte bukur, si yll dukej kur doli nga kabina. E mua, nuk ma veshën një fustan të ri, por më zëvendësuan nga një kukull tjetër. Ashtu jam lodhur, tepër kam pa. / KultPlus.com

Të ngjajshme