31 Gusht, 2023 - 7:50 pm
Përjetoni aventurën e pakrahasueshme të vrapimit të shtigjeve në malet e Sharrit, në malet mahnitëse rreth Prizrenit dhe shtigjet ndërkufitare nga Bregu i Diellit, Tetovë (Maqedoni të Veriut) deri në Prizren (Kosovë). Ngjarja ka 3 gara (22km, 52km, 70km) dhe është e vetme që është e certifikuar nga UTMB Index dhe ITRA në Kosovë.
Lidhni dhe shtrengoni mirë patikat dhe përgatituni për një sfidë malore pasi që edicioni i dytë i ngjarjes së vrapimit në shtigje High Scardus Ultra (HSU) kthehet më 2 shtator 2023. Kjo ngjarje emocionuese premton të testojë aftësitë e vrapuesve të të gjitha kategorive, duke ofruar 3 gara të përshtatshme për të gjithë nivelet e vrapuesve/eve.
High Scardus Ultra ka filluar të marr epitetin si një ngjarje kryesore e vrapimit malor dhe edicioni i këtij viti pritet të tërheqë vrapues të shumtë vendor, por sidomos ndërkombëtar. Me sfondin e maleve piktoreske të Sharrit, pjesëmarrësit do të nisin një udhëtim që do të testojë aftësitë e tyre fizike dhe mendore, duke i dërguar ata/ato në terrene të thepisura, të rrethuara nga bukuritë mahnitëse natyrore, liqene akullnajore dhe majat epike.
High Scardus Ultra, edhe këtë vit, vjen me tri gara të veçanta për cdo nivel të vrapuesve:
1. Bear Trail (22 km me 1,200 m ngjitje): Një pikënisje e përsosur për ata që janë të rinj në vrapimin në shtigje ose që kërkojnë një sfidë më të shkurtër por gjallëruese.
2. Eagle Trail (52 km me 2,900 m ngjitje): E projektuar për vrapues mesatar, kjo kategori paraqet një përzierje të ekuilibruar të distancës dhe lartësisë, duke premtuar një sfidë të kënaqshme.
3. High Scardus Ultra (70 km me afro 4,200 m ngjitje): Pika kryesore e ngjarjes, kjo garë ndërkufitare nga Bregu i Diellit, Tetovë, Maqedonia e Veriut deri në Prizren, Kosovë është një provë e vërtetë e forcës dhe elasticitetit.
Pjesëmarrësit do të përshkojnë një gamë të larmishme peizazhesh, nga pyjet e harlisur deri tek ngjitjet sfiduese, të gjitha duke festuar frymën e unitetit midis dy vendeve.
Drejtoresha e garës Uta Ibrahimi – alpinistja e njohur kosovare aktualisht në ekspeditë për t’i ngjitur të 14 majat më të larta në botë (ka ngjitur 11 nga 14) – shprehu entuziazmin e saj për ngjarjen, duke thënë: “Përgatitjet për High Scardus Ultra po shkojnë jashtëzakonisht mirë. Jemi të emocionuar kur shohim një pjesëmarrje mbresëlënëse të vrapuesve të elitës ndërkombëtare, ku secili/a do të sjellë pasionin e vet unik në këtë vrapim të veçantë malor. Ekipi është duke punuar cdo ditë për të siguruar që çdo detaj të jetë në rregull. Ne jemi duke punuar me sponsorët tanë – Red Bull, Black Yak, PPSE, 2U, dhe më shumë dhe partnerët tjerë si Shoqata Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni, Shërbimi i Kërkimit dhe Shpëtimit Malor i Kosovës, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Parku Nacional Sharr (Kosovë dhe Maqedoni) – për të mirëpritur pjesëmarrësit për një eksperiencë të paharrueshme.”
Këtë vit garën presin ta fillojnë 156 vrapues nga 20 shtete të botës, ndër to: Italia, Greqia, Qipro, Gjermania, Kroacia, Suedia, Zvicra, etj.
High Scardus Ultra gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit, miqësisë dhe unitetit ndërkufitar. Ngjarja inkurajon pjesëmarrësit të lidhen me vrapuesit e tjerë dhe të krijojnë kujtime të qëndrueshme që i tejkalojnë kufijtë gjeografikë.
Ngjarja organizohet nga Fondacioni Utalaya dhe organizata TREX nga Maqedonia Veriore – të cilët tashmë organizojnë garat më prestigjioze të vrapimit në shtigje në vendin e tyre të respektuar.
Garat përfudnojnë në Sheshin e Lidhjes se Prizrenit në Prizren, ku fillimisht është e organizuar ceremonia e ndarjes së shpërbileve kryesore, dhe me pas prej orës 20:00 kemi organizuar ndjejë me muzikë nga DjFatti në Kinemanë Lumbardhi./KultPlus.com