Gastronomët me kërkesa të reja pas masave, i japin kohë shtatë ditë qeverisë

11 Nëntor, 2020 - 4:01 pm

Pas njoftimit të masave të reja për parandalimin e transmetimit të koronavirusit nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (SHGK).

Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në Facebook, ‘SHGK’ ka thënë se kundërshton masat e reja, si dhe ka kërkuar nga qeveria që të krijojë Pako Ekonomike për Gastronomi në vlerë prej 10 milionë eurosh, shkruan KultPlus.

“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës, kërkojmë që URGJENTISHT Qeveria të dalë me qëndrim zyrtar lidhur me kërkesat kryesore të sektorit të gastronomisë, për krijimin e Pakos Ekonomike për Gastronomi, në vlerë së paku prej 10 milionë eurosh”, është shkruar në postim.

Tutje, shoqata ka parashtruar edhe mënyrën e projektimit të kësaj pakoje.

“1. Subvencionimi i shpenzimeve operative deri në përfundimin e pandemisë (mbulimet e qirasë, pagat e punëtorëve);

2. Shtyrje të afatit të kësteve të kredive, dhe kthimit të mbitërheqjeve deri në përfundimin e pandemisë;

3. Pagesa direkte për bizneset e gastronomisë, sipas vlerësimit të situatës;

4. Lejimi i shërbimeve me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë”, thuhet tutje.

Ata, në rast se nuk plotësohen këto kërkesa përbrenda shtatë ditëve, kanë paralajmëruar për reagime të ashpra. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/Gastronometeprishtines/posts/1101711986929591

Të ngjajshme