Gastronomët paralajmërojnë protesta nëse qeveria e ardhshme i kthen masat pas zgjedhjeve

11 Shkurt, 2021 - 7:49 pm

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse Qeveria e Kosovës do të vendosë për rikthim të masave kufizuese pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Të enjten, Qeveria në detyrë lehtësoi masat duke hequr kufizimin e lëvizjes për qytetarët dhe duke e zgjatur orarin e punës deri në 22:00 për gastronominë. Gastronomët e kanë cilësuar lajm të rëndësishëm dhe të mirë këtë vendim.

Megjithatë, duke pasur parasysh se gastronomisë nuk iu lejua puna qe disa muaj, por në sallat e dasmave u lejuan tubimet e partive politike, pa respektuar masat anti-COVID në kohë fushate, kjo shoqatë ka paralajmëruar protesta nëse ndryshohet vendimi i marrë të enjten.

“Sqarim: GASTRONOMËT JANË TË REVOLTUAR! Me rastin e shkeljes së masave Anti-Covid për arsye të organizimit të tubimeve politike, dhe shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllime të fushatave zgjedhore nga çdo parti politike, është bërë padrejtësi e madhe dhe trajtim i pabarabartë në raport me ne, ekonominë, dhe rreth 100 mijë qytetarë që rrezikojnë të mbesin të papunë në çdo industri! Në rast se vendimi i sotëm ndryshon pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ju njoftojmë se do të ketë organizim të protestave nga gastronomët!”, thuhet në një reagim të gastronomeve. /express/ KultPlus.com

Të ngjajshme