21 Qershor, 2023 - 4:43 pm
Pas shpalljes së konkursit ndërkombëtar dhe përzgjedhjes së finalistëve, Ministria e Kulturës është gati për prezantimin publik të pesë projekteve nga do të dalë fituesi, që do ta kthejë shtëpinë-monument të Libohovitëve, në një muze e që do të mbajë emrin kuptimplotë “Besa”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri një ftesë publike përmes rrjeteve sociale për të marrë pjesë në këtë prezantim për ngritjen e muzeut më të ri në Tiranë.
Prezantimi publik i 5 projekteve do të bëhet në datën 26 qershor 2023, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.
Pesë skuadrat finaliste janë: EAA (Emre Arolat Architecture), Oppenheim Architecture, Schneider & Schumacher, Cook Haffner Architecture Platform AS & Archispace si dhe MVRDV & IRi & OVE Arup&Partners Ireland Ltd & Martha Schwartz Partners.
Muzeu kushtuar institucionit të besës, do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, Monument Kulture, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.
Muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me atë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve, siç ishte mbrojta që ata u bënë hebrenjve.
Ky bëhet muzeu i dytë pas atij të Vlorës që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit./KultPlus.com