11 Korrik, 2021 - 3:30 pm
Ndër pushimet aktive në Evropë, janë 15 të përzgjedhura për të bërë rafting dhe një nga to është edhe lumi Vjosa, shkruan Francesca Masotti për rubrikën ”Viaggi” (”Udhëtime”) të gazetës më të njohur italiane ”Corriere della Sera”.
Gjithnjë e më shumë njerëz, të të gjitha moshave, tërhiqen nga ky aktivitet i mbushur me adrenalinë që ju lejon të argëtoheni dhe të kaloni orë të tëra në kontakt të ngushtë me natyrën.
Një nga më të preferuarit është edhe lumi Vjosa në Shqipëri.
Lundrimi në ujërat e lumit të fundit të egër në Evropë është i mundur.
Ku ndodhet?
Ai gjendet në Shqipëri.
Vjosa, një lumë që kalon në brendësi të jugut të Tokës së Shqiponjave derisa të derdhet në detin Adriatik, është mbretëria e natyrës shqiptare.
Ekzistojnë dy itinerare për rafting: rruga e gjatë, 18 kilometra që zgjat katër orë e gjysmë, fillon nga fshati Strembec dhe përfundon në Përmet, ndërsa ajo e shkurtër prej 10 kilometrash, që zgjat rreth tre orë, nis në fshatin Kaluth dhe përfundon në atë të Qilarishtit.
Dy shtigje përgjatë të cilave hasni peizazhe të pastra dhe të pandotura të karakterizuara nga ishuj, kanione, kalime të ngushta midis shkëmbinjve dhe harqeve prej guri.
Banjat termale të Banjës, pranë qytetit të Përmetit, duhet të shënohen gjithashtu në rendin e ditës, burimet natyrore ku rrjedh ujë shërues, ideale për t’u çlodhur pas kaq shumë aventurash”, përfundon gazeta e njohur. / atsh / KultPlus.com