5 Korrik, 2019 - 12:30 pm
Para 29 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
Me
titull “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i
Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi,
edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti
ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të
Serbisë”. Asnjë gazetar a punëtor tjetër i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë,
të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para
snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte
pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe
njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmëruar për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese.
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruaja komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithsesi mbledhja e Kuvendit me agjendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës, thotë Behlul Jashari, redaktor në gazetën Rilindja.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me titujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e flotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës është ekspozuar për të parën herë në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës të hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë në 2 Korrik 2019.
Pranë Deklaratës Kushtetuese janë ekspozuar edhe faqe të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me shkrimet për ngjarjen historike të 2 Korrikut 1990, e cila u pasua me Kushtetutën që shpalli Kosovën Republikë në 7 Shtator 1990 dhe me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
Deklaratën Kushtetuese për Kosovën e pavarur, e cila është e shkruar me makinë shkrimi, ekzemplarin origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 29 vjetorin e saj, e dërgova në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:
“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990. Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.
Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 20 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet 11 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.
Nga Behlul Jashari – Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohëpaskohshme deri në numrin e fundit të shtypur – 30 Dhjetor 2008 dhe ridaljes simbolike pas 10 vjetësh botim digjital në 31 Dhjetor 2018. / KultPlus.com