20 Janar, 2021 - 10:16 pm
Me 9 gola në 13 ndeshje, Kosovare Asllani është ndër më të mirat e Primera Iberdrola. Kështu e nis shkrimin e tij portali spanjoll “Bernabeudigital”, transmeton KultPlus.
Me të njëjtët gola si lojtaret e Barçës, Jennifer Hermoso dhe Oshoala, futbollistja me origjinë shqiptare është shënuesja e tretë më e mirë në kampionat pas Esther (14 gola me Levante) dhe Ludmila (10 gola me Atletico) dhe gjithashtu golashënuesja më e mirë e Realit.
“Sulmuesja, është një nga pikat e forta të ekipit madrilen, vendimtare në disa ndeshje dhe një pjesë e rëndësishme në skemat e trajnerit të saj. Nuk ka dyshim, se ajo është një nga lojtaret më të mira në kampionatin spanjoll dhe natyrisht në botë”,- citon portali spanjoll.
Duke e konsideruar Asllanin si një sulmuese me teknikë të patëmetë media spanjolle thotë se ka një mesatare shumë të lartë dhe aty ku bie më shumë në sy talenti i saj është seksioni teknik, pra driblimi dhe aftësia e saj për gjuajtje të lira.
Po kështu, dhe fizikisht ajo është një lojtare e shquar me cilësi të mira si mbrojtja e topit, forca dhe diapazoni i saj i kërcimit.
Duke bërë vlerësimin taktik, media spanjolle thotë se ka një vizion të jashtëzakonshëm të lojës, inteligjencë taktike dhe lojë jashtë fushe.
“Pa dyshim, një sulmuese shumë e plotë dhe me cilësi të lartë, një yll botëror, sezoni i së cilës është mbresëlënës këtë skuadër të re femërore të Real Madrid”, e mbyll shkrimin e saj “Bernabeudigital”. / KultPlus.com