26 Nëntor, 2023 - 10:06 pm
Një tjetër media evropiane sugjeron Shqipërinë si destinacionin turistik 2024.
Bëhet fjalë për të përditshmen spanjolle “El HuffPost”, ku Presidenti i Shoqatës së Agjencive të Udhëtimeve “Albacete”, Ignacio Tarraga rekomandon destinacione të reja për t’u vizituar gjatë vitit të ardhshëm.
Agjencia ofron fluturime direkte nga Spanja drejt Tiranës, një destinacion që revistat e specializuara të udhëtimeve e kanë cilësuar si “Karaibet e panjohura evropiane”.
Në shkrimin e së përditshmes spanjolle thuhet se udhëtimi në Shqipëri ofron akomodim për shtatë net, që mund të jetë në plazh ose turne të planifikuara që përfshijnë vizita kulturore.
Mes rekomandimeve të saj, agjencia spanjolle rendit argumentet pse Shqipëria është konsideruar si “Karaibet e panjohura evropiane” dhe sipas saj, ka disa arsye bindëse.
Së pari, Shqipëria ka një vijë bregdetare më shumë se 300 kilometra të gjatë, me plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kristaltë dhe shkëmbinj të thepisur.
Së dyti, është një vend relativisht i panjohur dhe së treti, është një vend i përballueshëm.
Çmimet për hotelet, ushqimin dhe aktivitetet janë shumë më të ulëta se destinacionet turistike të Karaibeve dhe sipas të përditshmes spanjolle, kjo e bën atë një alternativë tërheqëse për udhëtarët që kërkojnë të kursejnë para.
Ky vit është quajtur si bumi turistik për Shqipërinë ku vetëm nga janari e deri në gusht numri i turistëve arriti mbi 7,2 milionë në vetëm 8 muaj.
Por gjatë 2023-it, përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën./RTSH