Gazeta suedeze: Enver Hoxha e paraqet veten si zot për popullin e tij

25 Nëntor, 2019 - 11:00 am

Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stockholmit lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968 ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë .

Enver Hoxha urdhëroi para një viti që: gjithë ushtrimi i fesë, i çdo lloj forme qoftë, është rreptësishtë i ndaluar. Asnjë prift s´lejohet të shkojë në varrim dhe kryqet janë hequr nga varrezat krishtere. Bibla është vënë në listën e librave të ndaluara. Në Tiranë një kishë ortodokse përdoret si lokal vallëzimi, dhe altarin e kanë kthyer në kafene, Kisha në Vlorë përdorej si dyqan ushqimi, Xhamia piktoreske e Gjirokastrës është kthyer në rrobaqepsi…

Në Kinën e sotme çdo mëngjes kur nxjerr kokën për të parë nga dritarja e hotelit bëhesh dëshmitarë i pamjeve të rralla, kudo që të jesh në Pekin, Shangai, Kanton apo në çdo qytet tjetër: në rrugë dhe sheshe, kudo që të hedhësh sytë, shikon njerëz duke bëre gjimnastikë, të cilët bëjnë lëvizje marionetë sikurse t´ishte Mao që tërhiqte penjtë prej Olimpit të tij. Zoti i Shqipërisë Enver Hoxha nuk do të jetë më i dobët. Në Tiranë, Elbasan, Pogradec ose Korçë pamja është e njëjtë çdo mëngjes në orën shtatë: detyrimisht, gjimnastikë mëngjesi kolektive. Ashtu sikurse kinezi edhe shqiptari duhet ta fillojë mëngjesin me krahët lart dhe gjunjët e përkulur. Të mbash veten në formë është një obligim qytetar, ngaqë kombi ka nevojë vetëm për të aftët për punë dhe produktivët. Të padobishmit janë parazitë. Kjo vlen jo vetëm për njerëz por edhe për kafshë. Edhe këtu Hoxha ka ndjek shembullin e Kinës dhe ka ndaluar qentë. Sipas motivit zyrtar ekzistenca e maces justifikohet sepse ajo zë minjtë, kurse qeni nuk sjell dobi as për ushqimin e vet. Ai që nuk punon….  Para një viti i u dha urdhëri që të gjithë të zotët e qenëve t´i vrasin kafshët e tyre. Me anë të disiplinës së hekurt, që diktatori ushtron në vend, shfarosja masive ka qenë një sukses total. Unë e kam shkelur Shqipërinë nga veriu në jugë dhe nga lindja në perëndim: asnjë lehje qeni.

Por njeriu e gjen Kinën në shumë këndvështrime esenciale se sa këto. Në Tiranë e kanë ndjekur me një interes të theksuar revolucionin kulturor. Ky Enveri inteligjent i ka kuptuar përfitimet politike, që lidhen me mbajtjen e një klime revolucionare permanente me kusht që të mund ta kontrolloj atë. Masat nxiten deri në ekzaltimin e ndjenjave që së bashku me udhëheqësin e tyre të ndjekin një luftë të pareshtur kundër burokracisë, apatisë dhe hezitimit. Në një shtet të vogël si Shqipëria me vetëm një milion e gjysmë banorë vështirësia është kjo, se s´ka shumë popullsi në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe përveç kësaj vuan shumë nga mungesa e njerëzve të arsimuar. Me Hoxhën si nismëtar debutoi e quajtura direkt- demokraci, para ndonjë viti, sipas modelit kinez në universitetin e kryeqytetit ku studentët nisën të marrin mësuesit e tyre në hetuesi dhe i fajësonin si të prapambetur dhe për mungesë të frymës përparimtare. Megjithatë nuk u shtrua kurrë pyetja për të ngritur ndonjë barrikadë, as edhe okupim sallash të mësimit, ngaqë aksioni u shua po aq shpejt sikurse filloi. Hoxha e kuptoi se numri modest i mësuesve të universitetit nuk mundësonte çmendurira të tilla.

Po për të njëjtën arsye gjithashtu nuk qe e mundur për t’i shkundur nëpunësit e administratës shtetërore. Por me që ky Hoxha, mëson, gjithashtu nuk do ta braktisë revolucionin kulturor, të cilin Mao e sheh të domosdoshme për ta mbajtur doktrinën komuniste të pastër, duhej të shpikej një gjë. Çfarë qe më e kollajtë, dhe që edhe vendosi për ta bërë, qe feja. Unë në artikullin përpara tregova për kultin e shfrenuar të individit që diktatori organizoi në mbarë Shqipërinë dhe se si ai veç me emrin Enver e paraqit veten si zot për popullin e tij. Ti nuk do të kesh asnjë zot tjetër veç meje! Mund të ishte si lajtmotiv për revolucionin e ri kulturor, që ai urdhëroi gati përpara një viti dhe që drejtohet kundër çdo gjëje që ka të bëj më besime fetare. Në Shqipëri llogariten 70 % muhamedanë, 20 % ortodoksë dhe 10 % katolikë. Çfarë synohet është 100% Enver-adhurues. Duke pasur parasysh këtë synim përshkruhet Muhamedi dhe Krishti si adhurues primitivë të Zotit të një kohe së shkuar. Besimi tek ta bën që populli të mbetet në prapambetje reaksionare. Një shtet i vërtetë komunist i ç’rrënjos këto paragjykime dhe kjo ka ndodhur.

Ç’rrënjosje është fjala. Kjo është kryer kaq rrënjësisht, sa që as edhe Kina s´kishte mundur të tregonte të njëjtin rezultat. Shqipëria pretendon se është shteti i vetëm absolutisht ateist në botë. Gjithë ushtrimi i fesë, i çdo lloj forme qoftë, është rreptësishtë i ndaluar. Asnjë prift s´lejohet të shkojë në varrim dhe kryqet janë hequr nga varrezat krishtere. Ato i sheh aty këtu në stiva rrëzë mureve. Bibla është vënë në listën e librave të ndaluara. Kishat ose janë mbyllur ose janë bërë të “dobishme”. Në Tiranë një kishë ortodokse përdoret si lokal vallëzimi, dhe altarin e kanë kthyer në kafene. Unë pashë në Korçë një kishë të madhe me dy kambanore, ku dritaret e së cilës ishin lyer me bojë kafe. Dyert ishin të mbyllura me dry. Në kishën e Fierit dritaret ishin lyer po ashtu, kurse dyert ishin mbyllur për fare, por përveç asaj hyrja ishte kthyer në depo hekurishtesh të vjetra makinash. Kisha në Vlorë përdorej si dyqan ushqimi. Shoqëruesi ynë, një shqiptar i moshuar, që kishte kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga jeta e tij si berber në Lyon, kish qenë anëtar aktiv në partinë komuniste franceze dhe tash rikthyer në vendin e vet, krejt natyrshëm u bë objekt i pyetjeve të vështira nga grupi i udhëtimit. Ai u përgjigjej atyre sipas mënyrës speciale të tij. Çfarë bën një besimtarë i krishterë, që ndien nevojën e stimulit shpirtëror? ”Ai shkon në kinema”. Ç’ka thotë populli shqiptarë për përdhosjen e kishave të vendit? “Nuk bëhet fjalë për ndonjë përdhosje sepse neve nuk i konsiderojmë ato si të shenjta. Në Shqipërinë e re nuk ka vend për besim fetar”.

Por pas gjysmë shekulli nën sundimin turk Shqipëria është para së gjithash një shtet muhamedan. Kudo që të shkoje, para lufte, nëpër qytete të shihni sytë minare, të larta dhe të bukura, nëpër katunde më të thjeshta. Me përjashtim të vogël, p.sh. minarja e Tiranës është mbajtur si monument historik, ndryshe ato janë prishur. Enverit nuk i pëlqenin që ato kishin drejtuar gishtin tregues drejt qiellit, të cilat i kujtonin një fuqi tjetër përveç fuqisë së tij. Xhamitë? Nga ato dy në Elbasan, njëra është kthyer në central elektrik dhe tjetra shërbente si tualet primitiv. Xhamisë në Shkodër i kanë vu dinamitin dhe tani është një gërmadhë. Xhamia e Korçës, që është prej 1484, është e përmendur në librat e udhëtimit si e jashtëzakonshme. Rrënojat që mbështeten në minaren e rrëzuar duken sikur po shemben nga çasti në çast. Në atë kopshtin e shkretuar, pashë një burrë zhele i ulur në gjunjë me fytyrën kthyer nga Meka. Ishte hoxha, që gjatë dhjetëra vitesh prej ballkonit të minares kishte thirrur besimtarët të luteshin. Ai u tregua shumë i afrueshëm, tha se e kishin përzënë nga pronat e tij të vjetra dhe pranoi të fotografohej, për të thënë kalimthi, i vetmi shqiptar i gatshëm, që munda të flas gjatë udhëtimit tim. Si i huaj të shoqërojnë gjithnjë nëpër qytete një varg kureshtarësh dhe policësh, ndërkaq rregullisht mbajnë njëfarë distance. Kur turma iu afrua xhamisë ai papritmas iku me vrap si një gjah i përndjekur, dhe kjo më bëri pishman që i fola dhe e fotografova atë burrin e sjellshëm. Ndoshta dhe ai me forcë i’u ka nënshtruar asaj që quhet tashmë proces-prodhimi. Me që ra fjala te procesi i prodhimit: kam parë edhe një xhami prodhimtare. Ajo gjendet në Gjirokastrën piktoreske dhe jo larg bustit argjend- shkëlqyes, që Enveri ka lejuar t´ia ngrenë. Forma e saj është e hijshme dhe minaren nuk e kanë prishur. Para disa muajsh atë e kanë kthyer në rrobaqepësi. Zukama e një vargu të gjatë makinash depërton jashtë nëpërmjet dritareve me kangjella qindvjeçare dhe në muret e pikturuara varen fustane dhe rroba burrash.

Kishte shumë manastire krishtere dhe muhamedane në Shqipëri. Shumica e këtyre të fundit i përkisnin sektit të njohur Bektashi, i cili përbënte një faktor të fuqishëm në Turqi para se Qemal Ataturku ta ndalojë. Gjatë kohës midis luftërave shoqata bektashiane gjeti një strehim tek shqiptarët dhe luajti një rol të madh deri tani së fundit. Përfaqësuesit e revolucionit kultural i kanë përzënë murgjit nga pesëdhjetë e ca manastire që dispononin dhe këto ambiente i kanë kthyer në banesa për punëtorët. Një nga më të shquarit mbretëronte në një kodër afër Gjirokastrës, dhe para lufte hëngra një drekë magjepse dhe të paharrueshme tek shefi i sajë, dervish Baba Selimi. Gjatë qëndrimit tonë në Gjirokastër ju luta shoqëruesve, që të me lejonin të përjetoja kujtimet e vjetra, të vizitoja Teqenë. E pamundur. Përkthyesi ynë shpjegoi, se ndërtesa ishte kazermë ushtarake dhe natyrisht çdo gjë ushtarake ishte sekrete. Unë dua të di se çfarë ka ndodhur me klerikët krishterë, muhamedan dhe murgjit: “Ata punojnë”. Sqarime të tjera qe e pamundur të marr, dhe çfarë mund t’i shtoj përgjigjeve ato mbeten një enigmë. Ishin skllav në kampet e përqëndrimit, ishin detyruar të pononin në kooperativa bujqësore dhe fabrika ?.. Ose…Duke pasur parasysh hoxhën e Korçës ndoshta ndonjë është lënë në mëshirë të fatit dhe jetës në skamje. Por përsa u përket shumë gjërave të tjera në këtë shtet, ndoshta është shumë më mirë që të mos dish asgjë.

Një pyetje tjetër që të shtyn faktikisht është kjo: si reagon populli përpara këtij detyrimi të menjëhershëm të kalimit nga trashëgimia fetare në atë ateiste? Shikimet duken të pasigurta dhe dashakeqëse prej këtyre pyetjeve dhe asnjë nuk të jep ndonjë përgjigje. Kjo mund të jetë e kuptueshme dhe puna lehtësohet nga fakti se shqiptarët gjithmonë kanë dëshmuar në një prirje shumë të gjerë liberale në këndvështrimin fetar. Historia e vëndit nuk ka asnjë shembull për fanatizëm fetar ose konflikte doktrine. Por megjithatë. Çfarë mendojnë njerëzit kur detyrohen të varrosin një të afërt të familjes, nën shenjën e yllit të kuq d.m.th. pa hoxhë, prift apo ceremoni fetare, një gropim, prozaik, nën tokë dhe asgjë tjetër?

Nuk do të ishte e drejtë të paraqesësh influencën kineze si krejtësisht negative. Kur Shqipëria para gjashtë vjetësh u prish me Rusinë, shteti rrezikohej të paralizohej plotësisht në sektorin industrial. Rusët furnizonin si me makineri ashtu edhe fabrika të tëra dhe gjithashtu vinin në dispozicion specialistë, që kujdeseshin që çdo gjë të funksiononte. Nuk kishte personel të kualifikuar shqiptar, që mund të merrte përsipër kur ikën specialistët, por Kina nxitoi të mbushtë boshllëkun dhe rreziku i paralizës u shmang. Ekspertët kinez që prej atëherë janë shtuar më shumë, dhe ata i sheh aty këtu. Ata dalin në grupe nga gjashtë, shtatë vetë dhe duken se nuk kanë asnjë lloj kontakti me shqiptarët thjeshtë në aspektin njerëzor. Në hotel hanë në mensë të rezervuar, ku i sheh të ulur më vete me buzëqeshjet e tyre mekanike. Tashmë ata nuk kontrollojnë vetëm makinat ruse por edhe ato kineze, ngaqë Kina ka dhënë ndihmë të konsiderueshme dhe ka mundësuar të hapen industri të reja. Por ndihmesën më të madhe e kanë dhënë siç duket në bujqësi. Shqipëria është një vend malor dhe bujqësia është përqëndruar nëpër lugina. Sipas kërkesës së Pekinit tani Hoxha ka hedh parullën “Ne do të triumfojmë mbi malet!” Modeli është tarracat. Në tarraca të ngushta, që ngrihen pambarim njëra mbi tjetrën dhe malet kanë marrë pamjen sikur shkallë qiellore, kanë mbjellur pemë, patate bile edhe drithë. Kjo është një tip bujqësie, që kërkon shumë, dhe që i vë ushtruesit nën një presion të tmerrshëm. Rezultati vlen të nderohet. Tarracat gjatë liqenit të Ohrit janë madhështore. Të duket sikur ndodhesh në Kinë. Edhe në shumë zona të tjera malore, shqiptarët ia kanë arritur shkëlqyeshëm në saj të modelit kinez.

Që gjithmonë duhet të jetë ndonjë një shtet tjetër, që paguan, është tragjedia e përjetshme e Shqipërisë së varfër. Por sipas pikëpamjes së Enver Hoxhës është shumë më mirë që shteti financohet nga Pekini se sa nga Moska. Regjimi shqiptar ka karakterin e një sipërmarrje familjare të uritur për pushtet më një tiran në krye. Ky është një tip regjimi që deri diku të kujton atë të Maos dhe para së gjithash të Stalinit dhe tashmë do ishte e pa përfytyrueshme si në Rusi ashtu edhe në shtetet e lindjes. Por sikur tani të kishte qënë nën mbrojtjen e Rusinë nuk kishte pasur mundësi të qëndronte në pushtet. Kina nuk paraqet asnjë kundërshtim, përkundrazi. Me që Shqipëria gjithnjë detyrohet të jetë sateliti i dikujt, s´është aspak keq me një financues, që ndodhet në anën tjetër të rruzullit tokësorë. Njeriu ndihet më i lirë. Po Kina? Doni ta dini ju. Çfarë fitimi ka Kina nga ky biznes? Tri përparësi të bien direkt në sy. Në Tiranë kinezët disponojnë një shtypshkronjë për propagandën e saj në Europë, e cila thjeshtëson problemin e transportit. Ata gjithashtu përdorin radiostacionin jashtëzakonisht të fuqishëm dhe bëjnë propagandë antirevizioniste në shtetet e lindjes, e cila nuk mund të bëhet nga Pekini. Dhe në fund por jo më pak kjo: vetëm ekzistenca e diçkaje kaq absurde dhe intensive anti-europiane që një satelit kinez në breg të detit Adriatik, edhe kjo tashmë është një triumf më vete./Memorie.al / KultPlus.com

Të ngjajshme