Gazeta zvicerane: Ndërtojani Xhakës një përmendore

15 Prill, 2024 - 7:20 pm

Titulli i parë i kampionit të bundesligës, për skuadrën Bayer Leverkusen, pas 120 vite të ekzistimit, është bërë lajm që kalon caqet e futbollit dhe të Gjermanisë. Dhe, ky titull, pos trajnerit të madh Xabi Alonso, më së shumti i detyrohet, kujt tjetër por Granit Xhakës.

Kjo, edhe për faktin se, të paktën në 60 vitet e kaluara, kjo skuadër e madhe, asnjëherë nuk kishte arritur të merrte titullin e kampionit dhe, për pasojë mbante vazhdimisht etiketën si “vize” (të dytit), transmeton albinfo.ch.

Duke komentuar suksesin e madh të skuadrës gjermane, gazeta Blick në komentin e shkruar nga redaktori i saj i futbollit, porosit gjermanët që në titull: Ndërtojani Xhakës një përmendore (shtatore)!. Duke bërë këtë “sugjerim”, gazetari i referohet një deklarate, të dhënë gjysmë me humor nga Xhaka, në shkurt, para gazetarëve zviceranë. Ai kishte thënë kështu: “Ndoshta do të ketë një shtatore timen, në verë”.

Dhe tani, pak muaj më vonë, por më herët se që kishte premtuar, gazetari shkruan: “Nga e diela, Bayer Leverkuseni nuk është më “vize”. Kjo i takon të kaluarës. Dhe kjo, krahas me trajnerin, Alonson, ka të bëjë në radhë të parë me Granit Xhakën. Edhe pa shiritin e kapitenit, ai është dora e zgjatur e trajnerit, “shefi mental” dhe zgjidhësi i problemeve në terren, lideri i një skuadre të formësuar me shumë talent.

Rrallë ka pasur një lojtar i vetëm një ndikim të tillë tek një skuadër kampione e bundesligës siç e ka Granit Xhaka. Prandaj, ai do ta meritonte një shtatore./KultPlus.com

Të ngjajshme