22 Shkurt, 2022 - 1:54 pm
Në Konferencën e Sigurisë në Munih u bënë takime mes liderëve dhe përfaqësuesve të shumë vendeve pjesëmarrës në këtë ngjarje të sektorit të sigurisë ndërkombëtare. Ndër shumë vende, në këtë konferencë merrte pjesë edhe Republika e Kosovës me përfaqësuesit e saj. Kosova u përfaqësua nga Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, si dhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, dhe kjo konferencë po transmetohej edhe nga RTK, e përgjatë transmetimit, përdorej gjuhë seksiste ndaj minsitres së Ministrisë së Punëve të Jashtme Donika Gervalla, për të cilën ka reaguar edhe deputeti Haxhi Avdyli.
KultPlus e sjell të plotë edhe reagimin e deputetit Avdyli.
REAGIM
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të Konferencës së Sigurisë në Mynih në Radio Televizionin e Kosovës, është dëgjuar komunikimi i evidentuar si në foton më poshtë.
Gjuha e tillë karshi Zv. Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, njëheri Drejtuese e GUXO Zj. Donika Gërvalla Schwarz, por edhe kujtdo tjetër, është denigruese, seksiste dhe e papranueshme.
Gjuha e tillë nuk duhet të ketë vend në asnjë format, e lëre më në një platformë mediatike që për më tepër është institucion publik.
I bëjmë thirrje edhe Radio Televizionit të Kosovës që të distancohet nga kjo gjuhë, dhe këtë rast ta trajtoj me seriozitetin më të lartë, ashtu që të sigurohet që një nivel i tillë mendimi e diskutimi të mos tolerohet më kurrë.
Njëkohësisht, i bëjmë thirrje të gjitha mediave, gazetarëve e shoqërisë civile që të reagojë karshi një gjuhe të tillë që fatkeqësisht nuk është e rrallë në shoqërinë tonë, por që nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta lejojmë të tejkalohet pa u dënuar nga shoqëria./ KultPlus.com