20 Prill, 2021 - 9:13 am
Organizata Gazetarët pa Kufi (RSF) thotë se gazetaria që ajo e quan vaksinën kryesore kundër disinformimit, është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73% të 180 vendeve të botës.
Organizata e arrin këtë përfundim në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, sipas së cilit ka pasur një përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë.
“Pandemia e koronavirusit është përdorur si bazë për të bllokuar qasjen e gazetarëve në burimet e informacionit dhe raportimin në terren”, thotë RSF-ja.
Vendet në radhitjen e Gazetarëve pa Kufi, klasifikohen në ambiente “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit dhe identifikohen përkatësisht me ngjyrë të bardhë, të verdhë, portokalli, të kuqe ose të zezë në hartën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Vetëm në 7 për qind të vendeve të botës, ambjenti për gazetarinë është shumë i mirë.
Ky numër nuk ka qenë kaq i ulët që në vitin 2013.
Të dhënat e Indeksit, që mat kufijtë e qasjes në informacion dhe pengesat për mbulimin e lajmeve, konfirmojnë përpjekjet dhe masa për bllokimin e gazetarisë.
Të dhënat tregojnë se gazetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të investigojnë dhe njoftojnë për tema të ndjeshme, veçanërisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë.
Sekretari i përgjithshëm i RSF-së Christophe Deloire Orgazuara thotë se “Gazetaria është vaksina më e mirë kundër disinformimit” .
“Por për fat të keq, prodhimi dhe shpërndarja e saj shpesh bllokohet nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë dhe ndonjëherë edhe kulturorë. Në përgjigje të përhapjes së disinformimit përtej kufijve, në platformat dixhitale dhe në mediat sociale, gazetaria është rruga kryesore për të siguruar që debati publik të bazohet në një rreze të gjerë dhe të larmishme faktesh”, thotë ai.
Evropa, Ballkani, kontinenti amerikan
Evropa regjistroi një përkeqësim të konsiderueshëm në treguesin e saj të “abuzimeve”, me më shumë se dyfishin e akteve të dhunës në Bashkimin Evropian dhe Ballkan, krahasuar me një përkeqësim prej 17% në të gjithë botën. Sulmet ndaj gazetarëve dhe arrestimeve arbitrare u rritën në Gjermani, Francë, Itali, Poloni e cila ka rënë dy vende, Greqia që ka rënë pesë vende, Serbi dhe Bullgari. Shqipëria dhe Kosova radhiten mes vendeve “problematike”. Nga 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 83-të, duke fituar një vend nga viti i kaluar, kur ishte në vendin e 84. Kosova ka pësuar një rënie prej 8 vendesh nga 70 vitin e kaluar, në 78 këtë vit. Maqedonia e Veriut ka fituar dy vende, nga 92 vitin e kaluar në 90 këtë vit. Evropa dhe kontinenti Amerikan, vazhdojnë të jenë kontinenti më i favorshëm për lirinë e shtypit, i marrë si rajon, edhe pse në atë amerikan, u regjistrua përkeqësimi më i madh përsa i takon shkeljeve rajonale (deri 2.5%).
Renditje të tjera
Norvegjia renditet e para në Indeksin për vitin e pestë me radhë, edhe mediat e vendit janë ankuae për mungesën e qasjes në informacionin shtetëror për pandeminë. Finlanda e ka mbajtur vendin e dytë ndërsa Suedia është në vend të tretë, të cilin vitin që kaloi e kishte Danimarka, vend që këtë vit është në vend të katërt. Kjo radhitje konfirmon qartë suksesin e “modelit nordik” në përkrahjen e lirisë së shtypit.
Vendi që ka zbritur nga klasifikimi “i mirë” në “pak a shumë të mirë” është Gjermania, në vendin e 13, pasi ka rënë dy vende. Dhjetëra gazetarë të këtij vendi u sulmuan nga mbështetës të grupeve ekstremiste dhe atyre të teorive të konspiracionit gjatë protestave kundër kufizimeve të vendosura për të luftuar panandeminë.
Në të njëjtin grup janë Shtetet e Bashkuara, në vendin e 44-rt, megjithëse viti i fundit i presidencës së Donald Trumpit u shoqërua nga një numër rekord sulmesh kundër gazetarëve (rreth 400) dhe arrestime të gazetarëve (130).
Rusia është në vendin e 150, një më poshtë se vitin e kaluar dhe në kategorinë e vendeve me gjendje “të keqe”. Ajo e përdori aparatin e saj shtypës për të kufizuar mbulimin mediatik të protestave në mbështetje të kundërshtarit të Kremlinit Alexei Navalny.
Kina, e cila vazhdon t’i përdorë censurën, mbikëqyrjen dhe nivelet e propagandës së në internet, në nivele të pashembullta, është përsëri mes vendeve me gjendje “shumë të keqe”. Ajo është në vend të 177 mes 180 vendeve.
Menjëherë pas Kinës është e njëjta treshe e vendeve totalitare që janë gjithmonë në tre vendet e fundit: Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea. / KultPlus.com