21 Qershor, 2022 - 10:00 am
Medalja e Çmimit Nobel për Paqe, që ka fituar gazetari rus Dmitry Muratov vitin e kaluar, është shitur në një ankad për 103.5 milionë dollarë.
Të gjitha të hollat nga shitja e kryer më 20 qershor, do të shkojnë për Programin që ndihmon fëmijët ukrainas të zhvendosur nga lufta, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).
Blerësi nuk është identifikuar dhe ka kryer blerjen përmes telefonit.
Rekordi i kaluar për shitje të medaljes së Çmimit Nobel ka kapur shifrën e 4.76 milionë dollarëve më 2014, për çmimin e fituar më 1962 nga James Watson, i cili ka kontribuuar në dizajnim të strukturës së ADN-së.
Tre vjet më vonë, familja e Francis Crick, i cili e ka ndarë çmimin me Watson, e ka shitur medaljen për 2.27 milionë dollarë, transmeton Gazeta express.
Muratov, i cili ka ndihmuar në themelim të gazetës së pavarur ruse, Novaya, e ka vënë në shitje medaljen e tij, për të rritur fondet për miliona ukrainas që kanë ikur nga shteti i tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin më 24 shkurt.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, ai ka thënë se është veçanërisht i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të konfliktit në Ukrainë.
“Ne duam të rikthejmë të ardhmen e tyre”, ka thënë ai.
Muratov e ka ndarë Çmimin Nobel për Paqe më 2021 me Maria Ressan, bashkëthemeluese e uebfaqes, Rappler, e cila njihet si kritike e Qeverisë në Filipine.
Muratov ka qenë kryeredaktor i Gazetës Novaya kur ajo është mbyllur në muajin mars, si pasojë e taktikave të Kremlinit për të heshtur gazetarët dhe kritikët, pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë. / KultPlus.com