Gazetari turk me prejardhje shqiptare dënohet me 27 vite burgim

23 Dhjetor, 2020 - 11:00 am

Gazetari turk me prejardhje shqiptare, Can Dündar është dënuar me 27 vite burg nga një gjykatë e Stambollit, shkruan KultPlus.

Ish-kryeredaktori i gazetës “Cumhuriyet, e njohur për mbrojtjen e vlerave republikane, mori këtë denim për mbështetje të terrorizmit dhe spiunazhit ushtarak ose politik.

Can Dündar i cili nga ana e nënës ka prejardhje shqiptare në vitin 2015 kishte botuar dëshmi se si shërbimi sekret turk furnizoi me armë terrotistët e “Shtetit Islamik”.

Tani në internim në Gjermani, ish-kryeredaktori i gazetës turke të opozitës Cumhuriyet u gjykua në mungesë.

Gjyqtarët në gjykatën “Caglayan” të Stambollit lëshuan vendimin pavarësisht nga mungesa e ekipit të mbrojtjes. Avokatët e Dündar thanë se ata nuk do të merrnin pjesë në seancën përfundimtare, duke cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.

Gjykata vonoi vendimin e saj pasi avokatët e Dündar kërkuan që gjyqtarët të zëvendësohen për të siguruar një gjykim të drejtë, mirëpo kjo kërkesë u refuzua.

Can Dündar është autor i 20 librave dhe i disa programeve dokumentare. / KultPlus.com

Të ngjajshme