18 Gusht, 2020 - 10:05 am
Suada Qorraj
Gjendjen e mediave në krizë! Kështu u tha mbrëmë në diskutimin që u mbajt online në vazhdën e DokuTalks të organizuara nga edicioni i 19-të i festivalit DokuFest. Marija Ristić, Saranda Ramaj, Milan Antonijević, Lindita Tahiri dhe Petrit Sarachini diskutuan edhe për rëndësinë e bashkëpunimit mes mediave dhe institucioneve relevante për të pasur një ndikim më të madh, shkruan KultPlus.
Fokusi i këtij diskutimi ishte gjendja e gazetarisë hulumtuese në rajon, me një fokus të veçantë në Kosovë dhe Serbi, pasi që gazetarët në këto vende shpesh heqin dorë nga ndonjë storie apo raportim për shkak se përballen me pengesa dhe kërcënime.
Gjatë këtij diskutimi, Petrit Sarachini theksoi se sa e rëndësishme është që të kesh gazetari dhe informacione të sakta në një periudhë pandemike, si kjo në të cilën po kalon bota sot.
“Unë mendoj se është e rëndësishme, sidomos në kohën kur i gjithë njerëzimi po përballet me pandeminë COVID-19. Pandemia ka treguar se sa e rëndësishme është të kesh gazetarinë, si dhe një vend ku mund të marrësh informacionet e duhura, që do tu mundësonte edhe qytetarëve të informohen për gjërat e rëndësishme, ku përmes tyre të arrijnë të marrin vendimet e duhura”, ka thënë ai gjatë diskutimit.
Sipas tij edhe pse sot gazetaria hulumtuese ka shkuar në vende ku deri më sot s’ka arritur as teknologjia sot ka arritur një progres i madh i mediave që nuk e kanë synim informimin e publikut por që t’ju shërbejnë agjendave të caktuara politike dhe ekonomike.
“Mendimi im është që në këtë kohë pavarësisht faktit që gazetaria hulumtuese ka përparuar duke shkuar madje në vende ku teknologjia nuk ka arritur më parë, një përparim më të madh e ka pasur gazetaria senzacionale, prodhuesit e së cilës nuk e kanë për qëllim të informojnë publikun por të shtrembërojnë realitetin në mënyrë që tu shërbejnë agjendave të caktuara politike dhe ekonomike në vendin tonë”, ka potencuar Sarachini.
Ai madje ka theksuar se gjendja e sotme e mediave lidhet edhe me mungesën e një sistemi të mirëfilltë arsimor, ngase sipas tij ai ekzistues deri më sot ka privuar gjeneratat e reja nga dija dhe aftësitë analitike duke krijuar kështu një audiencë lehtë të manipulueshme që mund t’ju shërbejë agjendave politike dhe ekonomike.
Ndërkaq Marija Ristić, gazetare e BIRN, ka thënë se në Serbi por edhe në rajon ekziston një ambient armiqësor për mediat e pavarura dhe zhvillimin e një mendimi kritik.
“Në përgjithësi mendoj se ka një ambient armiqësor për median e pavarur dhe jo vetëm në Serbi, dhe kudo në rajon, ekziston një ambient armiqësor për çfarëdo lloj mendimi kritik”, ka thënë ajo.
Sipas saj kur diskutohet për ndikimin e gazetarisë hulumtuese në publik nuk mund të përfshish të gjithë gazetarët e Ballkanit Perëndimor sepse ndikimi nuk varet vetëm nga puna e mediave.
“Kur bëhet fjalë për ndikim, unë mendoj se është shumë e vështirë të mendosh për të gjithë gazetarët në Ballkanin Perëndimor, sepse ndikimi nuk varet vetëm nga media. Ju mund të publikoni hulumtimin më të mirë që keni, dhe të zbuloni korrupsion të nivelit të lartë si në Serbi, por atëherë ka një hap tjetër, që në thelb është diçka që duhet të përfundohet nga të tjerët. Dhe kur them të tjerëve këtu do të thotë institucione të pavarura, nga agjencia për antikorrupsion, tek avokati i popullit dhe institucionet e tjera të cilat monitorojnë sundimin e ligjit në vendin tonë. Pastaj ka dhe një tjetër aspekt në këtë çështje, ne shpesh herë kemi nevojë për përgjigje nga ana e policisë dhe prokurorisë, por që nuk i marrim, por jo për faktin që gazetaria është në krizë, por sepse sundimi i ligjit është në krizë”, ka theksuar Ristić.
Sipas gazetares, nëse krahason gazetarinë hulumtuese me Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Perëndimore do të vëresh dallime të mëdha sepse një raportim hulumtues rreth korrupsionit në Gjermani do të sillte dorëheqje e ngritje të aktakuzave kurse tek ne sjellë vetëm frustrim që të bënë të pyesësh vetën se mos je duke bërë raportime hulumtuese vetëm për Facebook dhe Twitter që diskutohen hiq më shumë se 7 ditë të javës.
Ndërkaq sipas gazetares së grupit Koha, Saranda Ramaj, në vendin tonë publikimi i një artikulli hulumtues do të sillte një diskutim disa orësh në publik, kjo për faktin se tashmë ekzistojnë një numër i madh i mediave që bëjnë publikimin e artikujve të pafiltruar.
“Pesha e hulumtimit besoj që flitet disa orë në Kosovë për shkak të numrit të madh të mediave dhe artikujve të pafiltruar, pesha e hulumtimit nuk e ka më rëndësinë që e ka pasur”, ka deklaruar Ramaj.
Sipas saj gazetaria hulumtuese tek ne nuk ka pasur një zhvillim të madh, madje sipas saj gazetaria ka pësuar kthim prapa. Ramaj ka theksuar edhe nevojën e profilizimit të gazetarëve, sepse sipas saj, gazetarët që mbulojnë fusha të ndryshme sjellin raportime jo cilësore dhe lehtë të manipulueshme.
Lindita Tahiri, profesoreshë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës ka theksuar se është e rëndësishme që të jemi përherë skeptik ndaj informacioneve që marrim në internet. Sipas saj larja e duarve për njëzet sekonda që është rekomanduar nga OBSH-ja qëndron ekuivalente me marrjen e informacionit sepse çdoherë duhet bërë kërkime më të detajuara.
Gjatë këtij diskutimi panelistët diskutuan edhe për ndikimin që kanë pasur lajmet e rreme gjatë pandemisë së koronavirusit në të gjithë botën si dhe u vu në pah që lajmet e rreme kanë qenë shkaktar i vdekjeve të shumta gjatë kësaj kohe. / KultPlus.com